Sllovakia është njëra nga 5 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njeh Kosovën, por kjo nuk ka penguar lidhjen e kontratave me një kompani kosovare, raporton KTV.
Nga Suhareka për në këtë shtet është nisur një maune e mbushur me lëngje ‘Made in Kosova’. Pos këtij vendi, dy maune tjera janë nisur për në Liberi dhe në Kuvajt.
Përcjelljen e këtij kontingjenti e ka ndjekur për së afërmi edhe kryeministri Isa Mustafa. Ai ka thënë se bizneset e Kosovës janë duke u përgatitur që të jenë të gatshme për të eksportuar në Evropë, pasi në prill do të hyjë në fuqi Marrëveshja e Asoociim Stabilizimit.
Nga ana tjetër, drejtori i kompanisë “Frutex” ka kërkuar më shumë reforma nga ekzekutivi. Kompania “Frutex” vitin e kaluar ka eksportuar më shumë se 240 maune në 16 vende të ndryshme të botës, ndërsa parashikimet për këtë vit janë që të ketë rritje prej 20 deri në 30 për qind të eksportit.