Veniten shpresat e Kombëtares Shqiptare të volejbollit të femrave për kualifikimin në fazën elite round të EuroLeague. Vajzat kuqezi u dorëzuan në sfidën e së shtunës përballë Sllovakisë duke u mundur me rezultatin e përgjithshëm 3-1 në ndeshjen e zhvilluar në pallatin e sportit të qytetit të Durrësit, Ramazan Njala. 3 vjet pas rikthimit në kompeticionet ndërkombëtare, kombëtarja e femrave u rikthye të luajë mes entuziazmit dhe mbështetjes së tifozëve që ngjyrosën kuqezi një pjesë të madhe të pallatit të sportit. Ndeshja e transmetuar në Supersport 3 nisi me këmbën e mbarë për Kombëtaren Shqiptare që mori menjëherë avantazhin 25-22 falë edhe euforisë që krijoi mbështetja e të pranishmëve në “Ramazan Njala”.
Seti i dytë ishte më i ekuilibruar dhe sllovaket dominuan vetëm falë dy pikëve diferencë, 25-23, ndërsa në të tretin, skuadra mike dominoi 25-18 duke i dhënë një goditje të madhe skuadrës shqiptare që nuk arriti të qëndronte në lojë pasi humbi edhe setin e katërt 25-22 dhe gjithë takimin 3-1. Pas kësaj disfate, Shqipëria nuk ka më asnjë shpresë për kualifikim pasi mbyll grupin me 3 pikë, ndërsa Sllovakia ka prerë biletën për në fazën tjetër me 13 pikë. Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Durrës, Bjellorusia kaloi Poloninë 3-1 duke e barazuar me 7 pikë edhe në klasifikim. Në sfidat e së dielës, Shqipëria do të sfidojë pikërisht Bjellorusinë, ndërsa Polonia do të përballet me Sllovakinë. Takimi mes vajzave kuqezi dhe Bjellorusisë do të transmetohet direkt në Supersport 3 duke filluar që prej orës 18:00./supersport.al/