Rajonit spanjoll të Katalonjës duhet t’i lejohet të përcaktojë të ardhmen e vet, ka thënë qeveria pro-pavarësisë e Skocisë, duke shtuar se fuqia e ndjenjës katalane nuk mund të injorohet nga komuniteti ndërkombëtar.
Deklarata vjen pas votës për pavarësi të organizuar nga qeveria autonome rajonale e Katalonjës ditën e diele, votim ky i vlerësuar ilegal nga Madridi, ku pasoi dhuna derisa policia provoi të ndalonte këtë proces, raporton Reuters.
Rezultatet e votës në shumicë absolute përkrahën pavarësinë, ndonëse dalja në votime ishte 42 për qind sepse ata që ishin në favor të mbetjes së Spanjës një njësi e bojkotuan atë. Qeveria autonome e Katalonjës ka bërë thirrje për ndërmjetësim ndërkombëtar.
“Spanja do ta vlerësojë këtë votim jo-legjitim por fuqia e ndjenjës së demonstruar nuk mund të injorohet nga Spanja, e as nga komuniteti i gjerë evropian e ndërkombëtar”, ka thënë ministrja e Jashtme e Skocisë, Fiona Hyslop, transmeton Koha.net.
“Tani duhet të zhvillohet dialog për të zgjidhur këtë çështje në një mënyrë që respekton edhe demokracinë edhe sundimin e ligjit, dhe i lejon popullit të Katalonjës të përcaktojë vetë fatin e vet”.
Vetë Skocia kishte refuzuar pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar në një referendum detyrues më 2014, ndonëse nacionalistët janë ende forcë dominuese në politikën skoceze.


















