Skënderbeu siguron Europa League, synon Champions (Video)

E publikuar: 05/08/2015 23:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skënderbeu ka bërë histori duke siguruar fazën e grupeve të Europa League, ndërsa ende ndodhet në garë për tu kualifikuar në Champions League.
Në fakt, ekipi shqiptar triumfoi para shikuesve të vetë në stadiumin Elbasan Arena kundër Milsamit me rezultat prej 2:0 (4:0) në kuadër të Champions League, e cila gjë ka bërë që skuadra korçare të kualifikohet për në fazën e “Play-Off” të Championsit.

Por, në rast se eliminohet në raundin e ardhshëm të fazës eliminatore të garës më prestigjioze evropiane për klube, atëherë skuadra korçare do të ketë mundësinë të luajë në Europa League, pasi që skuadra që arrin në fazën e fundit të Champions Leagues dhe nuk kalon tutje, automatikisht kualifikohet për në garat e fazës së grupeve të Europa Leagues, transmeton Telegrafi.

E gjitha filloi mirë kur ekipi moldav mbeti pa një lojtar në minutën e 14-të takimit, kur Goran Androniq shkakton një ndërhyrje mjaft të ashpër ndaj Eskardinjës dhe gjyqtari nuk ka hezituar duke e ndëshkuar me karton të kuq.

Vetëm dy minuta më vonë erdhi edhe dënimi i dytë për moldavët, por kësaj radhe nga ana e Hamdi Salihut, i cili sërish ishte fatal për ekipin mysafirë.

Bernard Berisha hedh një top në zonë nga e majta, Nimaga tenton me një gjuajtje me të majtën, por grushton portieri mik, aty pranë ndodhet si gjithmonë Hamdi Salihi, i cili nuk mund të gabojë dhe godet në mënyrë perfekte me kokë duke kaluar korçarët në avantazh. Ky njëkohësisht ishte goli i vetëm në pjesën e parë, ani pse te dyja skuadrat e kërkuan rrugën e golit.

Edhe në pjesën e dytë skuadra shqiptare vazhdoi domimin në ndeshje. Pas aksioneve të njëpasnjëshme, korçarët ngritin epërsinë në dy gola. Kristi Vangjeli jep një pasim perfekt nga krahu i djathtë për Geraldo Prognin, i cili doli i vetëm përballë portierit dhe godet fort me të djathtën duke e dërguar topin në rrjetë në minutën e 55-të të ballafaqimit të dytë kundër Milsamit.

Megjithëse në vazhdim të takimit vendasit e kërkuan edhe golin e tretë, ndërsa mysafirët me kundërsulme golin e parë, takimi përfundoi me rezultat prej 2:0, përkatësisht rezultati nga dy ndeshjet ishte 4:0 për Skënderbeun.

Kujtojmë se dy gola i shënoi Skënderbeu në ndeshjen e parë në Moldavi kundër Milsamit, duke fituar pastër 2:0 falë dopietës së sulmuesit Hamdi Salihit. Pas golit të kësaj mbrëmje, Salihi e dërgon në pesë shifrën e shënimeve të golave për korçarët në katër ndeshje, përkatësisht në tre në Champions League.