Skënderbeu nuk ndalet dhe vazhdon të bëjë kampionin edhe pas javës së tretë të kategorisë Superiore. Tjetër fitore pa pësuar gol për të besuarit e Mirel Josës që pas Kukësit dhe Vllaznisë mposhtën edhe Tërbunin me rezultatin 2-0. Në ndryshim nga sfida e të Mërkurës ndaj shkodranëve ku shënoi Arapi këtë herë në stadiumin Ismail Xhemali të Pukës vendosi gjithcka Piter Olainka me sulmuesin nigerian që realizoi dy herë. Në fakt fitorja e Skënderbut mund të ishte edhe më e thellë por kjo nuk ndodhi për meritë të portierit të Tërbunit England Haxho që me ndërhyrjet e tij evitoi gola të sigurtë. Të pranishëm në këtë sfidë ishin edhe disa drejtues të Beshiktashit që ndoqën nga afër kampionët tanë në prag të sfidës së 17 Shtatorit që do të zhvillohet në Elbasan Arena.
Në stadiumin e qytetit të Pukës sfida nisi me dominimin e Skënderbeut. Rreziku i parë erdhi nga Bledi Shkëmbi një nga më të mirët në fushë për korcarët por goditja e kapitenit nga limitet e zonës pas vetëm 2 minutave lojë përfundoi mbi traversë. Në të 17-tën provoi edhe Berisha por tentativa e mesfushorit kosovar mori kundërpërgjigjen e Haxhos. Në minutën e 27-të një skemë e Radas dhe Shkëmbit për pak sa nuk solli golin e Skënderbeut, por tentativa e kapitenit të korcarëve nga goditja standarte u ndal nga një super England Haxho. Gjërat e ndërlikuan disi për Skënderbeun në minutën e 29-të kur Liridon Latifi u largua nga fusha duke i lënë vendin Gerhard Prognit. Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola por Skënderbeut i mjaftuan vetëm pak caste nga fillimi i fraksionit të dytë për të zhbllokuar shifrat. Një krosim i Ademir nga e djathta e sulmit të korcarëve u shfrytëzua në maksimum nga Piter Olainka që goditi saktë me kokë duke i dhënë avantazhin Skënderbeut. Pas golit formacioni i Mirel Josës e rriti edhe më shumë presionin por në të 54-tën Haxho dhe shtylla shpëtuan Tërbunin. Një goditje potente e Sabien Lilaj nga distanca pasi u devijua lehtë nga portieri i pukjanëve përfundoi pikërish në shtyllë, ndërsa në vazhdimin aksionit Olainka gaboi nga shumë pranë.2 minuta më pas Haxho bëri mrekullinë duke i mohuar edhe njëherë tjetër kënaqësinë e golit Shkëmbit. Me kalimin e minutave Tërbuni filloi të shikonte më shumë drejt portës së Shehit por në të 71-tën Sulmata gaboi në goditjen me kokë pas krosimit të Mones. Për ti vënë kapak fitores së Skënderbeut dhe për të hedhur knock-out skuadrën e Samuel Nikajt mendoi Bernard Berisha që në minutën e 86-të bëri gjithcka mirë në të majtë duke asistuar Olainkën që e pati të lehtë ta dërgonte topin në rrjetë. Në Ismail Xhemali gjithcka përfundoi me suksesin 2-0 të kampionëve që tashmë kryesojnë klasfikimin me pikë plota 9 pas tre javëve kampionat.