Skënderbeu-Dinamo Zagreb, një derbi ballkanas për Champions League

E publikuar: 07/08/2015 12:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skënderbeu peshkon kroatët e Dinamos së Zagrebit për një derbi ballkanas në fazën play off të UEFA Champions League. 6 herë kampionët e Shqipërisë mësuan emrin e kundërshtarit të radhës në shortin e hedhur në Nyon të Zvicrës ku goglat përzgjodhën një skuadër që mbetet e panjohur për korçarët. Ekipi i Mirel Josës nuk është ndeshur asnjëherë më parë me kampionët e Kroacisë, por për shqiptarët futbolli kroat është kthyer në modë gjatë viteve të fundit sepse pas Cikalleshit, në kampionatin e këtij vendi luajnë Bala dhe Roshi.

Në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s, Skënderbeu evitoi kundërshtarë edhe më të vështirë në letër si Basel apo Celtic, ndërsa nuk arriti të shortohej me BATE Borisov apo Apoel Nicosia, skuadra që ngjallin kujtime të hidhura pasi këto e kanë eleminuar ekipin korçar në dy edicione. Takimi i parë mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit do të luhet në “Elbasan Arena” në datën 18 ose 19 Gusht dhe ai i kthimit një javë me pas në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit. Përsa u përket përballjeve të tjera, Baseli i Gashit dhe Xhakës sfidon Maccabi Tel Aviv, ndërsa mes të mëdhenjve veçohen përplasjet Valencia-Monaco, Lazio-Bayer Leverkusen, Sporting Lisbona-CSKA e Moscow, Manchester United-Club Brugge dhe Rapid Wien-Shakhtar Dontesk.