1 gol i nigerianit James Adeniyi i mjaftoi Skënderbeut për të regjistruar fitoren e 4-t në këtë sezon. Pas suksesit 1-0 ndaj Luftëtarit në Korcë, kampionët kryesojnë kampionatin me pikë të plota pas 4 javëve të para.
Rezultatet u japin të drejtë por loja e zhvilluar jo. Skuadra e Agostinellit në këtë fillim sezoni ka bërë atë që është më e rëndësishme ka marrë pikët sepse në fund ato të japin titullin, gjithsesi ndaj Luftëtarit, kampionët treguan se kanë ende shumë për t’u përmirësuar. Një ndeshje poshtë pritshmërive ajo ndaj gjirokastritëve, me Skënderbeun që u tregua sërish një skuadër cinike duke realizuar vetëm 1 gol për të marrë tre pikëshin e rradhës. Për momentin lojtarë si Lilaj, Latifi apo Salihi nuk janë në formën e tyre më të mirë dhe kjo ndihet në lojën e skuadrës me Skënderbeun që nuk po xhiron ashtu sic duhet. Në këto 4 javë korcarët kanë grumbulluar 12 pikë por nuk duhet harruar as fakti që Skënderbeu ka patur edhe kalenadrin në favor.
Ekipi i Agostinellit ka zhvilluar 3 nga 4 ndeshje gjithsej në shtëpi dhe për më tepër është përballuar me skuadra të pakolauduara ende si Flamurtari, Korabi, Laci dhe së fundmi Luftëtari, ekipe që kanë ndryshuar shumë në përbërje gjatë merkatos së verës dhe kanë nevojë për kohë për të shfaqur potencialin e tyre të vërtetë. Edhe në 2 javët e ardhshme Skënderbeu është i favorizuar në letër sepse luan në Korcë ndaj Vllaznisë dhe Teutës, por nëse vazhdon me këto paraqitje gjërat mund të vështirësohen për korcarët që për momentin nuk zotërojnë ende statusin e skuadrës së sezonit të kaluar. Skënderbeu i Mirel Josës ndryshe nga ai i Andrea Agostinellit e gjente me shumë lehtësi rrugën e rrjetës dhe mbi të gjitha luante një futboll të bukur. Pas sfidave ndaj Vllaznisë dhe Teutës, korcarët do të përballen me rivalët direktë, Tiranën, Kukësin dhe Partizanin dhe nëse deri atëherë skuadra nuk e rrit nivelin e lojës, misioni titull mund të vështirësohet.