Skender Hyseni thotë se është zor të zbardhet atentati që iu bë ish-Presidentit Rugova (Video)

E publikuar: 07/04/2015 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni foli për terrorizmin dhe lëvizjen e lirë. Ai shpalosi edhe detaje nga atentati i bërë ndaj Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
Vendimi që e mori pesë muaj më parë për ta drejuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për Skënder Hysenin ishte një nga më të vështirët. Kështu të paktën thotë vetë ai, kjo për faktin se puna e tij duhet të bazohet gjithmonë në fakte.
Është pikërisht mungesa e dëshmive që po e pengon atë të nis hetimet ndaj atentatit që iu bë ish-Presidentit tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova në mars të vitit 2005.
“Kush do të ishte më i interesuar se unë ta zbuloj përpjekjen për atentat në Presidentin Rugova. Unë kam qenë i ulur në veturë me Presidentin Rugova dhe natyrisht nga tre ditë na ka ushtu koka nga detonimi i fortë. Mirëpo duhet të udhëhiqemi ekskluzivisht nga faktet por jo nga percepsionet”, tha Hyseni në emisionin ‘Zona B’ në Klan Kosova.
Mirëpo Hyseni ka tjera mendime kur flet për sfidat e tjera në vend. Ai mbase ka edhe fakte kur thotë se toleranca ndërfetare dhe ndërkulturore në vend është e pashoqe.
Sipas tij vendi nuk kërcënohet nga terrorizmi.
“Nuk mund të themi që ka organizata terroriste në Kosovë. Dhe ju siguroj që nuk ka”, tha ai.