Një vështrim më i thellë në sistemin e ri të verifikimit të Samsung- krahasuar me Face ID të iPhone X vihet re ky proces nuk ofron sigurinë e duhur për pagesat e celularëve.
Shkyçja e Galaxy S9 mund të jetë më e shpejtë – por kjo nuk do të thotë se është më i sigurtë.
Celularët më të rinj të Samsung, Galaxy S9 dhe S9 Plus, përfshijnë një tipar të ri që kompania e quan “skanimi inteligjent”. Teknologjia kombinon skanimin e irisit, i konsideruar si më i sigurt, me teknologjinë e skanimit të fytyrës që shihet si më pak i sigurt.
Kur shkyçni telefonin tuaj, së pari do të skanoni fytyrën tuaj. Nëse kjo nuk arrin të shkyçë telefonin, pajisja atëherë do të kontrollojë irisin tuaj. Nëse të dyja dështojnë, skanimi inteligjent do të përpiqet të vërtetojë identitetin tuaj duke përdorur një kombinim të të dyjave. Dhe kjo ndodh pothuajse menjëherë.
“Skanimi inteligjent përshtatet me nevojat tuaja, duke kombinuar inteligjencën e skanimit të irisit dhe njohjen e fytyrës për ta bërë atë edhe më të lehtë për ju të shkyçni telefonin tuaj në më shumë situata”, tha Justin Denison, nënkryetar i lartë i marketingut të produkteve Samsung, të dielën në eventin e Samsung gjatë “Mobile World Congress” në Barcelonë.
Problemi është se teknologjia Samsung për njohjen e fytyrës thjesht nuk është mjaftueshëm e sigurtë. Prezantimi i një mënyre më të shpejtë, por më pak të sigurtë për shkyçjen e telefonit tuaj nga Samsung nënvizon faktin se, ndërsa themi se e vlerësojmë privatësinë dhe mbrojtjen, në të shumtën e rasteve ,si zgjedhje të parë kemi lehtësinë. Identifikuesit biometrikë janë prezantuar si një opsion i sigurt – hakerët nuk mund të vjedhin kodin tuaj dhe ju nuk duhet të mbani mend asgjë – por sa i sigurt është një opsion krahasuar me një tjetër ,nuk mund të thuhet me siguri.
Sistemi i njohjes së fytyrës të Samsung përdor një aparat të rregullt për të krijuar një hartë 2D të fytyrës tuaj, në kontrast me Face ID të Apple, e cila krijon një skanim kompleks 3D të modelit tuaj të fytyrës. Njerëzit ishin në gjendje të mashtronin teknologjinë e Samsung Galaxy S8 të vitit të kaluar duke përdorur fotografi dhe vetë Samsung paralajmëroi se teknologjia mund të “përdoret vetëm për hapjen e Galaxy S8 dhe aktualisht nuk mund të përdoret për të siguruar aksesin në llogari të tjera. ”
Kjo nuk ndryshon me Galaxy S9.
Mashtrimi i skanimit inteligjent mund të bëhet lehtësisht me vendosjen e një fotoje përpara ekranit (megjithëse ne do të duhet të presim që dikush të provojë dicka të tillë për ta thënë me siguri).
“Ata duan të promovojnë një nivel të lartë sigurie, por gjithashtu edhe ta bëjnë më të lehtë dhe më efektive zhbllokimin e telefonit”, tha Andrew Blaich, një studiues në kompaninë e sigurisë celulare Lookout.
Face ID e Apple kundrejt njohjes së fytyrës të Samsung
Samsung hodhi e para në treg opsionin e zhbllokimit të celularit nëpërmjet njohjes së fytyrës dhe më pas Apple solli “Face ID” në iPhone X, por teknologjia e kompanisë së Koresë së Jugut nuk është në të njejtin nivel sigurie.
“Kjo është një fushë ku Samsung është dukshëm në disavantazh krahasuar me Apple,” tha analisti i të dhënave globale, Avi Greengart. “Apple ka investuar një sasi të madhe parash, kohë dhe shumë përpjekje për realizimin e Face ID. Megjithatë ishte kompania Samsung ajo që solli e para në treg një version të Face ID.
Face ID e Apple-it nuk bazohet në fokusimin e pjesëve të fytyrës. Në vend të kësaj, teknologjia krijon një skanim 3D duke përdorur një camera infra të kuqe, një sensor thellësie dhe një projektor pikëzues për të përcaktuar 30,000 pika të padukshme në fytyrën tuaj. Ai krijon me anë të skanimit një imazh artificial 3D, që do të thotë se nuk mund të mashtrohet me një imazh 2D sic mund të jetë një foto e printuar.
Nga ana tjetër teknologjia e njohjes së fytyrës nga Samsung, mund të mashtrohet nga imazhet statike – kjo bazuar të paktën në pajisjet më të vjetra që janë aktualisht në treg.
Përmirësimet inteligjente
Samsung përshkruan skanimin inteligjent si një zgjidhje të mirë studiuar që analizon karakteristikat e dukshme të fytyrës tënde dhe kushtet e ndriçimit përreth dhe vendos se cila metodë funksionon më mirë për të zhbllokuar telefonin tuaj.
Për shkyçjen e telefonit, ajo fillimisht skanon fytyrën tuaj dhe më pas fokusohet në iris nëse skanimi i fytyrës nuk realizohet me sukses. Nëse kushtet nuk janë të duhurat për të bërë të mundur e skanimin e fytyrës ose të irisit, atëherë skanimi inteligjent i kombinon ato për të shkyçur pajisjen tuaj. Samsung tha se siguron që ky proces ndodh me sukses në pothuajse çdo mjedis.
Ai mund të njohë përdoruesit edhe kur veshjet ose pajisjet pengojnë një pjesë të fytyrës dhe punon në kushte të cilat normalisht janë të vështira, si p.sh. dritë e dobët ose faktorë të tjerë ndriçues.
Galaxy thotë se teknologjia e irisit tek S9 është zgjeruar për të identifikuar modelet unike të irisit nga distanca më të mëdha dhe gjithashtu Samsung ka punuar për të parandaluar çdo hyrje të paautorizuar në pajisje.
Vlen të theksohet se ky skanim inteligjent nuk mund të funksionojë asesi për shërbime të rëndësishme siç janë pagesat. Për të përdorur Samsung Pay në Galaxy S9 ose S9 Plus, do të duhet të futni një PIN ose të skanoni gjurmën e gishtit ose irisit tuaj.
Si përfundim, skanimi inteligjent nuk është për të rritur sigurinë e Galaxy S9 por për t’i bërë gjërat më të lehta.” Nëse mund të kombinojnë teknika të shumëfishta për ta bërë më të shpejtë procesin e shkycjes së celularit,atëherë ky është një lajm i mirë”, tha Richard Hayton, shefi i sigurisë së teknologjisë në kompaninë Trustonic. /PCWorld Albanian