Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ka ftuar organet e hetuesisë të hetojnë dyshimet për keqpërdorimin dhe shitjen e vendeve të punës për infermier, në konkursin e dhjetorit të viti të kaluar.
Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, nuk ka dashur të flasë për mediat pasi ka theksuar se do t’i lërë të punojnë të qeta organet e hetuesisë, të cilat i ka ftuar publikisht të merren me rastin.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, se nuk do të përfshihet në debatin rreth kësaj çështjeje, derisa organet e hetuesisë, ta kryejnë punën e tyre.
Ismaili ka përgëzuar veprimin e menjëhershëm të ShSKUK-së për zbardhjen e këtij rasti.
Por prokuroria Themelore në Prishtinë, ende nuk ka nisur hetimet për këtë rast. Jo zyrtarisht KTV-ja ka marrë vesh se një çështje e tillë do të diskutohet të hënën, në mbledhjen e kolegjiumit të prokurorëve në këtë prokurori.
Ndërkaq, Policia e Kosovës edhe pse zyrtarisht dhe publikisht u ftua nga drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu për të hetuar rastin, ka heshtur përballë kësaj ftese.
Nëpërmjet postës elektronike, Policia ka thënë se tani për tani nuk mund të deklarohet.
Sidoqoftë, ministri Ismaili ka thënë se pret që pas përfundimit të hetimeve, që gjithsecili t’i marrë përgjegjësitë e tij.
Kohavisioni gjatë javës raportoi se si kryetari i njërit prej komisioneve për rekrutimit të infermierëve dhe mamive, Alban Janova, e kishte punësuar gruan në këtë konkurs.
Dhe pas kësaj, dhjetëra ankesa kanë ardhur në adresën e Kohavisionit, të cilat flasin për dyshimet se shumica e të punësuarve gjatë këtij konkursi, janë në baza familjare apo edhe nëpërmjet ryshfetit. Në mesin e dëshmive, ka edhe biseda se si për një pozitë të infermieres ose mamisë, kandidatët kanë paguar 2 deri në 5 mijë euro ryshfet./koha.net/