Thesari urdhërom ministritë që grevistëve t’u ndalen pagat e gushtit

E publikuar: 29/08/2022 19:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur sot se punonjësit që janë në grevë nuk do të paguhen.

Sipas kërkesës së Thesarit që i ka bërë Zyrës së Financave në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, është kërkuar lista e punëtorëve grevistë, të cilët do të largohen nga lista e pagave për muajin gusht 2022.Thesari i Kosovës ka kërkuar që deri nesër në orën 14:00 t’i dërgohet lista e plotë e nëpunësve grevistë, të cilëve pritet t’u pezullohen pagat për këtë muaj.

Më herët, gjatë ditës, ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për medie ka bërë me dije se Qeveria e ka proceduar Ligjin e Pagave.

“Si Qeveri e kemi proceduar Ligjin e Pagave dhe është në konsultime të ndryshme dhe do të del në konsultime publike. Në shtator kur të kthehet Kuvendi nga pushimet, projektligji do të procedohet në Kuvend. Në këtë projektligji janë marrë parasysh edhe kërkesat e mësimdhënësve për ruajtjen e pozitave që janë tepricë teknologjike. Sektori i arsimit është prioritet i Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

Për pezullimin e pagave, Ministria e Financave po thirret në Nenin 18 të Ligjit për Grevat në Kosovë, duke e shmangur Nenin 13 të të njëjtit ligj.

Neni 13 i Ligjit për Grevat, në mënyrë specifike mbron të drejtat e të punësuarve gjatë grevës. Ligjvënësit e kanë emërtuar këtë nen në mënyrë të qartë: Mbrojtja e të drejtave të punësuarve gjatë grevës, raporton Demokracia.com.

Edhe pse Ligji për Grevat është ndryshuar në vitin 2012, paragrafi 1, i Nenit 13, ka mbetur i pandryshuar.

Ky paragraf tregon qartë se: “Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’iu ndërpritet marrëdhënia e punës”.

Edhe pse ky nen nuk lë vend për asnjë dyshim, Qeveria Kurti është duke vazhduar me presionin e saj për të shtypur këtë grevë të paralajmëruar kohë më parë.