16 vjet mbas përfundimit të luftës dhe 8 vjet që Kosova ka shpall pamvarësinë e saj, shteti ynë po vazhdon me punue me dokumentacionin e ish-Jugosllavisë.
Televizioni Rrokum ka sigurue formularët te cilat kosovarët i plotësojnë, aplikojnë për pensione në vendet e ndryshme të botës.
Në pjesën e parë të formularit me Francën shkruhet: marrëveshje mes Francës dhe Jugosllavisë. Por as në ndonji qoshe të këtij dokumenti nuk shihet ndonji simbol i Kosovës, e aq ma pak nuk përmendet emni i Republikës tonë.
E njajta asht edhe me Formularë të tjerë me Austrinë, dhe shtetet tjera. Në aplikacionin me Gjermanine, ndonëse formulari asht në të dy gjuhët nuk përmendet asnji emën shteti.
Kosovarët, ani pse e kanë shtetin e tyne qe ma shumë se 8 vjet, vazhdojnë me u trajtue si shtetas të ish-Jugosllavisë, mbasi Kosovës as mbas kaq vjetësh shtetësi nuk e ka lidh asnji marrëveshje të vetme, të kësaj fushe me këto shtete.
Edhe zyrtarë të kesaj zyre, ndonëse jo para kamerës, i kanë thanë Televizionit Rrokum se këta formularë, dëshmojnë se Kosova nuk ka asnji marrëveshje të nënshkrueme me vendet tjera, sa i përket kontributeve pensionale. Simbas tyne këto vende pranojnë me bashkëpunue edhe në këtë mënyra, sepse dëshirojnë me i ndihume Kosovës dhe qytetarëve të saj me i marr kontributet që ju takojnë.
Duket se ministrit të kalum të punës dhe mirëqenies sociale, Nenad Rashic nuk i ka pengue nji fakt i tillë.
Por Ministri i tanishëm i Punës dhe i Mirëqeniës Sociale, Arban Abrashi thotë se asht në dijeni për këtë, dhe simbas tij shpejt kanë me u ndërmarrë masa për krijimin e formularëve unik me të gjitha shtetet.
Republika e Kosovës ende nuk e ka lidh asnji marrëveshje për kontributet pensionale me shtetet e Europës, ku kosovarët prej dekadash kanë punue atje.