Shpëtimi, djali i Smajl Hajdarajt i vrarë pas luftës, thotë se po bëhen 16 vjet nga vrasja e babait dhe askush nuk ka dalë para drejtësisë.
Ai e quan kriminale deklaratën e Nasim Haradinajt, i cili duke folur për vrasjet e pasluftës, ka thënë: “punë e madhe që kanë qenë të LDK-së”.
LDK pret nga anëtarët e tjerë të Organizatës së Veteranëve dhe Qeveria që të distancohen nga deklarata e Nasim Haradinajt.
Kjo deklaratë ka nxitur reagime të shumta edhe të familjarëve të aktivistëve dhe veprimtarëve të tjerë të LDK-së, të vrarë pas luftës.
Vajza e Enver Malokut, deputetja Doruntinë Maloku, i ka kërkuar kryeministrit Haradinaj dhe të gjitha organizatave të dala nga lufta që urgjentisht të distancohen nga deklaratat e Nasim Haradinajt.
Deputeti tjetër i LDK-së, Armend Zemaj, familjar i Tahir Zemajt, i vrarë më 4 janar 2003, e ka quajtur pleh të degraduar Nasim Haradinajn. Por, Nasim Haradinaj ka thënë se nuk ka për çka të kërkojë falje për deklaratën e bërë.
Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka komentuar deklaratën e nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së për vrasjet e pasluftës, duke thënë se ato do të hetohen nga institucionet e rendit.
“Këto vrasje janë plagë e dhimbshme dhe moszbardhja e të gjitha vrasjeve të pasluftës është turp për Kosovën, shoqërinë dhe institucionet e rendit dhe ligjit. Prononcimet publike lidhur me këto raste, të çfarëdo natyre qofshin, nuk duhet të zbehin përgjegjësinë dhe detyrën e institucioneve të vendit për zbardhjen e tyre”, shkruan Haradinaj në Facebook.

















