Skandali i Qeverisë me ndihmat sociale

E publikuar: 25/04/2016 20:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Shpërndarja e ndihmave sociale, nga Qeveria e Kosovës, vazhdon të bëhet përmes bankave private, duke e anashkaluar kështu Postën e Kosovës, e cila do t’i kushtonte shumë më lirë, por që ka edhe më shumë filiale në Kosovë
Muaj më parë zëvendësministrja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeri, në një takim me kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, kishte bërë të ditur se Posta e Kosovës është përzgjedhur për si institucion përmes të cilit do t’i shpërndaheshin ndihmat sociale, për mijëra kosovarë në nevojë.

Kjo gjë, në mënyrë të pashpjegueshme, ishte anuluar në minutën e fundit. Madje, përfaqësuesit e Ministrisë se Çështjeve Sociale, kishin thirrur konferencë për shtyp për ta nënshkruar marrëveshjen me Postën, por e kishin anuluar në momentin e fundit.

Një marrëveshje e tillë do t’u ndihmonte shumë, mijëra familjeve që marrin asistencë sociale. Posta e Kosovës ka mbi 100 filiale në mbarë Kosovën, përmes së cilave do të shpërndaheshin asistencat sociale, duke mos i detyruar njerëzit në nevojë që të udhëtonin me qindra kilometra për të marrë ato pak euro që u takojnë.

Në anën tjetër, operatori i përzgjedhur nga Qeveria, Banka Private e Biznesit, në gjithë Kosovën nuk ka më shumë se 10 degë, përmes së cilave ndan asistencën sociale.

Pastaj, provizioni që kjo bankë merr nga shteti për kryerjen e këtij shërbimi është shumë më i lartë, se sa ajo që do të ndalte Posta.

“Do të kurseheshin rreth 80 mijë euro në muaj”, ka treguar një burim i Gazetës.

Mirëpo arsyeja e vërtetë e këtij dështimi qeveritar duket të jetë afërsia e zyrtarëve të kësaj banke me Qeverinë e Kosovës dhe me LDK’në.

“Po flasim për përfitime prej qindra mijëra euro. Zyrtarët e Bankës janë të afërt me LDK’në”, tregojnë burimet.

Në anën tjetër, kalimi i këtij shërbimi në duar të Postës, i cili është shërbim publik, do t’i ndihmonte shumë rreth 1000 punëtorëve që punojnë aty, krahasuar me disa dhjetëra që punojnë në Bankën Private të Biznesit.

Express mëson se nesër Qeveria do të vendos përfundimisht për ketë proces.