Ishte detyruar që të pranonte fajësinë për një krim që kurrë nuk e kreu. Ata që e detyruan ta bënte këtë janë tash të dyshuarit e rinj për këtë krim, bashkë me hetues nga Policia e Kosovës të dyshuar për manipulim me qëllim të provave. Rrjedhimisht, policët mund janë bashkëpjesëmarrës në krim. Express sjell rrëfimin për Kastriot Grajqevcin, një qytetar kosovar, rasti i padrejtësisë i të cilit u rihap 5 vite pasi që ai u akuzua, u shpall fajtor, u dënua, dhe u detyrua që të arratiset.
B.N., punëtor i sigurimit në një prej klubeve të Prishtinës, ishte rrahur keq dhe më pas ishte plagosur me armë zjarri, në gusht të vitit 2011, derisa ishte duke u rruar tek një berber në lagjen ‘Ulpiana’ në kryeqytet. Pak ditë më pas, për këtë rrahje Policia e Kosovës kishte arrestuar Kastriot Grajqevcin, të dyshuar për “vrasje të rëndë në tentativë”. I njëjti më 29 mars të 2012 ishte dënuar me 2 vite e gjashtë muaj burgim nga atë kohë Gjykata e Qarkut e Prishtinës, pasi gjatë gjykimit kishte pranuar fajësinë. Por, kur Gjykata Supreme e kishte mbështetur aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë, Grajqevci në vend se të shkonte për të vuajtur dënimin, ishte arratisur në Zvicër. Ndaj tij, pasohet një urdhër-arrest ndërkombëtarë.
Por, kjo në fakt del se nuk është e vërteta e kësaj historie të rrahjes dhe plagosjes gati për vdekje të sigurimit B.N..
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), rrafsh pesë vite pas këtij rasti, më 24 gusht 2016 nxori një kallëzim penal të ri për 5 të tjerë të dyshuar në këtë “vrasje e rendë në tentativë” dhe “lëndim i rënd trupor”. Aty, përfshihen dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, hetuesi Osman Gashi dhe polici Bekim Xhoni.
Kallëzimi Penal shfaq dyshimet e bazuara të Inspektoratit se hetuesi nga Prishtina, Osman Gashi me qëllim ka neglizhuar punën e tij, duke mos kryer shumë veprime të nevojshme hetimore për rastin në fjalë, për të cilin ishte dënuar Grajqevci.
Ndërsa, polici Bekim Xhoni, sipas kallëzimit penal, dyshohet se si pjesë e grupit me tre të dyshuarit tjerë që përmenden në të njëjtin dokument të Inspektoratit Policor, Agim Aliun dhe Armend Spahiun, dhe Selim Selimin kanë detyruar të akuzuarin Kastriot Grajqevci që të pranojë fajësinë për veprën penale që sipas të njëjtit kallëzim penal nuk e ka kryer.
Hetuesi Gashi në kallëzim penal dyshohet për “Shpërdorim të Detyrës Zyrtare”, ndërsa Polici Xhoni për “Kanosje” dhe “Detyrim”.
Në kallëzimin penal të gushtit të vitit të shkuar, hetuesi i Policisë së Kosovës, Osman Gashi, pretendohet të ketë qenë në dijeni se i dënuari për “vrasje të tëndë në tentativë” nuk ka kryer veprën penale të cilën akuzohej, dhe po ashtu ka pasur njohuri se personat e implikuar në këtë rast janë të lartë përmendurit Agim Aliu e Armend Spahiu, dhe Selim Selimi, të tre nga Prishtina.
“Përkundër faktit që e ka ditur prej fillimit se kush janë personat e dyshimtë ky i ka përjashtuar nga procedura duke i bërë disa veprime sipërfaqësore kundër të dyshuarve”, thuhet në kallëzimin penal të departamentit të hetimeve të IPK’së.
Madje, aty thuhet se hetuesit policor, dëshmitarët e ngjarjes i kishin thënë se Agim Aliu dhe të tjerët janë personat që kishin rrahur dhe shtënë në B.N..
Sipas Kallëzimit Penal, Agim Aliu, tash me mbiemër të ndërruar Spahiu, i njohur me nofkën Morri, dyshohet për “Vrasje të rëndë në tentativë” dhe “Lëndim i rëndë trupor”, për rrahjen dhe plagosjen e B.N., pasi më këtë të fundit, një natë para plagosjes që kishte ndodhur në një rrojtore në Prishtinë më 29 gusht 2011, ishin përleshur në klubin ku viktima punonte si sigurim. Morri, dyshohet edhe për “Shantazh” dhe “Kanosje”, pasi me të kryer rrahjen, kur kishte shkuar në shtëpinë e tij në Matiqan, kishte ftuar për ta takuar Kastriot Grajqevcin, të cilin e kishte detyruar ta pranonte veprën penale. Madje, aty thuhet se Morri e kishte detyruar Grajqevcin edhe që të shtinte me armën më të cilën e kishte plagosur viktimën B.N..
Kur Grajqevci ishte arrestuar pak ditë më pas, kallëzimi penal thotë se ai ishte monitoruar gjatë gjithë kohës nga grupi i treshes Agim Spahiu-Aliu (Morri), Armend Spahiu dhe Selim Selimi. Ky i fundit, në kallëzim penal pretendohet se ishte i caktuar të përcjelltë gjitha seancat e gjykimit të Grajqevcit, i cili kishte pranuar fajësinë.
Kallëzimi penal thotë se më 13 mars 2012, Armend Spahiu, bashkë me policin Bekim Xhoni i dyshuar për “detyrim” e kishin vizituar Kastriot Grajqevcin në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, dhe me fjalë e kishin frikësuar atë që të pranojë veprën.
“Nëse nuk e pranon se ti je kryesi i veprës penale kundër B.N., ti e din se Agimi [Morri] ka mundësi me të bë keq në të gjitha aspektet”, citohen t’i kenë thënë të dënuarit.
Hetuesit e Inspektoratit Policor i Kosovës në këtë dokument qartësojnë se detyrimi i Kastriot Grajqevcit për të marrë fajësinë ishte bërë pasi ky kishte mbetur i lënduar nga B.N., gjatë përleshjes që kishte ndodhur një natë para plagosjes, në një klub të natës në kryeqytet, pasi ishte i shoqëruar me Agim Aliun “Morrin”.
“Po sa shpallet fajtor Kastrioti me datën 29/03/2012 lehet në liri për tu mbrojtur, dhe pas një kohe e takon Selim Selimin ku i thotë që të shkojë përjashta Kosovës dhe ja paguan edhe udhëtimin sipas Kastriotit. Dhe Kastrioti shkon në Zvicër, atje martohet dhe krijon familje me një shtetase Zvicerane”, thuhet në kallëzimin penal të siguruar nga Gazeta Express.
Në fund të këtij dokumente tregohet se hetuesit e IPK’së kanë intervistuar edhe zyrtaren e Prokurorisë së Shtetit Mevlude Statovci, si të dyshuar për fshehjen e një përgjigjeje që Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte bërë Prokurorisë kur këta të fundit kishin kërkuar rigjykim të rastit të Kastriot Grajqevcit pasi pretendonin se kishin arritur të siguronin të gjetura dhe prova të reja.
Por, IPK nuk e ka përfshirë Statovcin në Kallëzim penal, pasi ka kërkuar nga prokurori i rastit që të analizojë veprimet e kësaj zyrtareje të Prokurorisë.
Përveç 5 të dyshuarve, Agim Aliu-Spahiu, Armend Spahiu, Selim Selimi, Osman Gashi dhe Bekim Xhoni, në kallëzim penal ka lënë edhe mundësinë e zgjerimit të të dyshuarve të implikuar në këtë rast, duke shënuar N.N. tek i dyshuari i gjashtë.
Gazeta Express, të mërkurën ka kërkuar informacione nga Prokuroria e Shtetit në lidhje me veprimet që janë ndërmarr apo ngritjen e ndonjë aktakuze ndaj këtyre të dyshuarve, një vit pasi kanë pranuar këtë kallëzim penal nga hetuesit e Inspektoratit Policorë, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara më e-mail.
Njëjtë sqarime nuk ka dhënë as IPK’ja, përkundër se Gazeta Express ka javë që ka kërkuar nga ta të tregohet për masat disiplinore dhe veprimet tjera hetimore që janë ndërmarrë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që hetuesit e tyre i kanë implikuar në rast.


















