Komuna e Gjilanit në krye me Alban Hysenin e Vetëvendosjes ka shpërblyer me tender afro 15 milionë euro dy biznesmen të akuzuar për mashtrim. Bujar Shabanin, pronar i kompanisë “Bageri” dhe “Kosova Asfalt” dhe Fatlum Pirevën të “El-Bau”. Insajderi ju sjell detajet.
Në mesin e grupit të operatorëve ekonomikë, në këtë konsorcium figurojnë edhe kompanitë e Shabanit dhe Pirevës, ata parashihet të nisin punimet për “renovimin e stadiumit të Gjilanit”.
Oferta e tyre ani pse ishte më e shtrenjta, 14.997.804 euro është përzgjedhur, praktikisht ka marrë dritën jeshile nga Hyseni.
Për çka akuzohen Bujar Shabani dhe Fatlum Pireva?
Gazeta Insajderi ka pasur një seri shkrimesh të cilat faktonin mashtrimet e biznesmenit Shabani me tenderë publikë. Ky i fundit është shok i afërt me zëvendësministrin, Hysen Durmishi.
As Bujar Shabani e as Hysen Durmishi s’i kanë mohuar asnjëherë raportet miqësore që kanë ndërmjet vete.
Shabani, pronar i “Bageri”-t dhe “Kosova Asfalt” që ka përfituar kontratë të dyshimtë prej 8,6 milionë eurosh për lotin 2 të rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë, ka aktakuzë. Akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik. Shoku i Durmishit rrezikon të dënohet deri në pesë vite për mashtrimet me procedurat tenderuese.
Gazeta Insajderi në korrik të 2022-ës ekskluzivisht solli deklaratat e inxhinierit dhe gjeodetes, të cilët ishin cak i mashtrimit të biznesmenit, Shabani. Ai dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet mashtrimit.
Dosja kundër Shabanit është ende më e trashë. Jo vetëm tenderi prej 4.7 milionësh, por i njëjti dyshohet se ka mashtruar edhe kur ka konkurruar në tenderin tjetër “Zgjerimi i rrugës së fshatit Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi”.
Ky tender peshonte 3 milionë e 798 mijë e 623 euro. Por që këtë tender nuk kishte arritur ta fitonte.
Biznesmeni Shabani dyshohet se ka mashtruar inxhinierin Arben Vranovci që jeton në Norvegji, diplomën e të cilit e kishte përdorur për konkurime në tenderë, fillimisht pa marrëveshje kontraktuale e pastaj edhe me nënshkrim marrëveshje, gjë për të cilën inxhinieri nuk ishte kontaktuar asnjëherë.
Inxhinieri Vranovci kur ka kuptuar diploma e tij po shfrytëzohet tinëz kishte denoncuar rastin në prokurori.
Shabani dyshohet se ka mashtruar edhe gjeodeten Violeta Aliu Bislimi, licencën e së cilës e kishte përdorur jashtëligjshëm pasi kjo e fundit ishte punësuar në komunën e Ferizajt, dhe licenca është jovalide nëse personi punon në një institucion publik.
Në anën tjetër afaristi Fatlum Pireva i “El Bau”, që ishte pjesë e konsorciumit të lotit dy për rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë bashkë me firmën e Shabanit, ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale mashtrim.
Fatlum Pireva së bashku me Suad Pirevën dhe Muhadin Zukën dyshohet si i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë prej afro 3 mijë euro.
Avokati i biznesmenit, Pireva më 31 maj të 2022-ës i kishte propozuar gjykatës që procedura penale ndaj tij të pushojë për shkak të parashkrimit. Propozim ky i cili ishte refuzuar nga prokurori e gjyqtari i rastit.
Sipas gjykatës, të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.
Pireva dhe Shabani kanë fituar një tender të dyshimtë në Komunën e Mitrovicës. Ndonëse Komuna e Mitrovicës kishte paraparë që ky projekt të kushtojë 600 mijë euro, fituesit e tenderit Bujar Shabani e Fatlum Pireva të akuzuar për mashtrim kanë ofruar çmimin prej 892.453 euro, që i bie afro 50% më shtrenjtë se vlera fillestare e ofruar.