KOSOVO. 2012. Hashim Thaçi Prime Minister of the Republic of Kosovo.
Më 31 korrik të vitit 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaronte: “Fake news, fake, fake, fake”.
E një të tillë siç duket e ka shpërndarë vetë Thaçi, të enjten mbrëma.
Presidenti i vendit publikoi në Twitter se Xhamajka e njohu Pavarësinë e Kosovës.
Në atë postim, Thaçi shkroi se për njohjen e Kosovës nga Xhamajka u njoftua nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
Por, KOHA ka parë komunikimet e brendshme të njoftimeve rreth kësaj njohjeje.
Në to, ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku, u kishte sugjeruar institucioneve në Prishtinë që të mos publikojnë këtë informacion pa marrë notën verbale.
“Për publikim është mirë të presim notën verbale”, thuhet në këto komunikime.
Këtë kërkesë të ambasadores Çitaku nuk e përfilli presidenti Thaçi, duke e publikuar lajmin në Twitter, vetëm pak orë pas njoftimit.
Por, gjatë së premtes, presidenti nuk ka pranuar të thotë asnjë fjalë për këtë lëshim në komunikim institucional.
Publikimi i lajmit nga presidenti nxiti reagimin e autoriteteve xhamajkane.
Ky shtet ishullor i Karaibeve, pa kaluar as 24 orë, demantoi njohjen e Kosovës, përmes ministres së Punëve të Jashtme, Kamina Johnson Smith.
Ministrja Smith ka reaguar në Twitter, duke thënë se Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Siç mësohet, Serbia, me të parë situatën se ekziston mundësia e njohjes, ka reaguar ndaj Xhamajkës duke arritur të ndikojë në autoritetet atje për ta ndalur procesin.
Televizioni ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Jashtme në Kingston për detaje rreth situatës së krijuar, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkohë, Zyra e Presidentit të Kosovës e ka larguar përgjegjësinë nga vetja.
“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti, këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit të Kosovës.
Ndërkaq, për atë se çfarë ndodhi me njohje e mosnjohje nga Xhamajka, ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë se pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit.
E, me shumë entuziazëm, edhe krerë të tjerë shtetërorë, duke përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti, njoftuan përmes rrjeteve sociale se Xhamajka e njohu Kosovën, pasi këtë së pari e bëri presidenti Thaçi.