Policia e Kosovës nuk po e përfill një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili me datë 28 shtator kishte marrë vendim që ta shpallë si jo të rregullt konkursin për pozitën drejtor i Drejtorisë së Prokurorimit, ku u përzgjodh Blerim Dina.
Gazeta Blic ka arritur që ta siguroj vendimin e këtij Këshilli, i cili bazuar në ankesat e disa kundër kandidatëve të Blerim Dinës, ka marrë vendim që ta anuloj konkursin, i cili nga Policia e Kosovës u shpall me 9 qershor 2015 për pozitën “Drejtor i Drejtorisë së Prokurorimit”, dhe të gjitha vendimet që rrjedhin nga kjo procedurë.
Sipas këtij vendimi, një kopje të të cilit e posedon Gazeta Blic, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni, obligohet që këtë vendim ta zbatoj në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të tij.
“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duhet të njoftohet me shkrim pas ndërmarrjes së veprimeve në pajtim me këtë vendim”, thuhet në pikën e IV të këtij vendimi.
Pavarësisht pse kanë kaluar 15 ditë që kur është marrë ky vendim, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni nuk ka ndërmarrë asnjë vendim për anulimin e konkursit. Një burim i Gazetës Blic brenda policisë ka theksuar se Maxhuni nuk po e përfill vendimin e marrë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.
Ndërkohë, sipas këtyre burimeve para një viti, po për të njëjtën pozitë, drejtori Maxhuni e kishte zbatuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, duke e anuluar zgjedhjen e drejtorit të Prokurorimit.
Në vazhdim ju sjellim vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, ku kërkon anulimin e këtij konkursi./ Gazeta Blic