Skandal para Espanyol–Barça, tifozët planifikojnë të hedhin “minj” në fushë

E publikuar: 03/01/2026 17:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Joan García do të përballet me një atmosferë tejet të tensionuar këtë të shtunë në mbrëmje (21:00), kur Barcelona do të luajë ndaj Espanyolit në derbin e La Ligës. Portieri i Barçës, i transferuar verën e kaluar nga Espanyoli te rivalët e përbetuar, pritet të ketë një pritje armiqësore nga tifozët vendas.

Sipas mediave spanjolle, disa grupe tifozësh të Espanyolit kanë planifikuar të hedhin objekte simbolike, përfshirë lodra në formë minjsh, në shenjë proteste ndaj largimit të tij. Për këtë arsye, klubi dhe autoritetet spanjolle kanë vendosur masa të forta sigurie, përfshirë rrjeta mbrojtëse pranë portave dhe kontrolle të shtuara në hyrje të stadiumit.

Espanyoli u ka bërë thirrje tifozëve të shmangin incidentet, duke paralajmëruar sanksione të rënda në rast shkeljesh. Ndërkohë, tifozët e Barcelonës nuk do të lejohen të udhëtojnë për këtë ndeshje.

Nga ana sportive, përballja është shumë e rëndësishme: Barcelona kryeson La Ligën me katër pikë avantazh ndaj Real Madridit, ndërsa Espanyoli renditet në vendin e pestë dhe lufton për një vend në Champions League.