Skandal në Meksikë: Gjenden mbetje mortore pranë stadiumit ku do të zhvillohen ndeshjet e Botërorit

E publikuar: 06/12/2025 08:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Stadiumi Akron në Guadalajara të Meksikës është kthyer në qendër të vëmendjes pas zbulimit tronditës të rreth 456 çantave me mbetje njerëzore në zonat përreth, një zhvillim që ka ngritur alarmin vetëm pak muaj para nisjes së Botërorit 2026.

Sipas raporteve nga mediat italiane, çantat janë gjetur nga grupet vullnetare të kërkimit në shtetin Jalisco, një rajon prej vitesh i goditur nga zhdukjet dhe dhuna e kartelave. Autoritetet dyshojnë se numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, pasi kjo zonë është përdorur shpesh si vend fshehjeje nga grupet kriminale.

Ngjarja ka ndezur sërish debatin për sigurinë në Meksikë, pikërisht në një nga qytetet që do të presë ndeshje të Kupës së Botës.

Shqetësimet lidhen jo vetëm me situatën e rendit publik, por edhe me imazhin e vendit përballë mijëra tifozëve që pritet të udhëtojnë drejt Guadalajara-s në vitin 2026. Autoritetet lokale po punojnë për të identifikuar mbetjet dhe për të garantuar siguri të shtuar në zonën e stadiumit, ndërsa opinioni publik kërkon përgjigje për shkallën e vërtetë të tragjedisë njerëzore që fshihet pas këtyre gjetjeve.