Një tjetër ngjarje e rëndë dhe që mund të lidhet me emrin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta është regjistruar paraditen e së hënës në periferi të Divjakës. Mësohet se një prej makinave të eskortës së kryeparlamentarit ka aksidentuar rëndë një qytetar nga Tërbufi i Lushnjes, por çështja është mbajtur në fshehtësi nga policia.
Lapsi.al mësoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.30 në vendin e quajtur Qafa e Shënepremtes.
Meta ishte këtë mëngjes i ftuar në një aktivitet që lidhej me bujqësinë në Divjakë në magazinat frigoriferike të Kujtim Likës. Të njëjtat burime thanë se i aksidentuar është shtetasi Adriatik Hamdi Llapi nga fshati Shënepremte i komunës Terbuf të Lushnjes.
48-vjeçari është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjes dhe më pas në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Ai është trajtuar për orë të tëra në reanimacion për shkak të goditjeve që ka marrë në kokë. Gjendja e të aksidentuarit është në rrezik për jetën.