Një incident brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndodhur muajin e kaluar, kur një zyrtar i lartë ka hyrë me forcë në zyrën e kolegut të tij, derisa ka qenë në pushim pa pagesë.
Sipas burimeve të Kohës, Drejtori për Shërbime të Përgjithshme, Ragip Zejnullahu ka hapur me forcë derën e zyrës së Amir Hazirit, që mbulon departamentin për rajon. Sipas këtyre burimeve, Zejnullahu ka marrë disa dokumente nga zyra e kolegut të tij.
Raportohet se incidenti ka ndodhur më 5 korrik, në kohën kur Haziri ka qenë në pushim.
Ky rast nuk është mohuar nga zyrtarët e përfshirë, por sqarime nuk kanë ofruar as nga Policia as nga MPJD.
Haziri tha se është ende në pushim dhe kur të kthehet në punë do të informohet më shumë se çka ka ndodhur.
“Krejt cka mundem me thonë është ju lutem folni me Policinë dhe Ministrinë, nuk di kurgjo cka ka ndodh. Jam në pushim edhe 3 javë kur dal në Ministri I takoj kolegët e sekretarin dhe drejtorin administrav edhe e shoh cka po ndodh”, tha ai,
Ndërsa, Zejnullahu nuk ka thënë asgjë, duke kërkuar që për informata shtesë të kontakohet Zyra për Informim në MPJD.
“Zyrën për Informim, ata mirren me informatat që dalin jashtë institucionet, të lutem drejtohu atyre”, tha ai.