S’ka pajtueshmëri për votat me postë, KQZ shkon në pauzë

E publikuar: 06/12/2025 19:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është kërkuar që të shtyhet pika 3.1 e rendit të ditës, që është Shqyrtimi i opsioneve dhe afateve të veprimeve për votim përmes postës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 28 dhjetor 2025.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi tha se shtyrja e afateve mund ta rrezikojë procesin e votimit të diasporës.

“Ne jemi buzë një procesi që në fillim kam thënë që mund të pengojnë të drejtën e mërgatës me votu, çfarëdo shtyrje për ditë tjetër është dështimi procesit. Afatet që janë të paraqitura rrezikojnë seriozisht procesin e dërgimit të zarfeve apo procesin e votimit për mërgatës. Sot jemi më 6 dhjetor personat që janë të përfshirë në këtë proces janë t’u punu mbi 12 orë. Nëse nuk vendosim sot për këtë dokument atëherë shkojmë drejt dështimit dhe ju ftoj që ta lexoni këtë dokument, çfarëdo vonese hynë në domenin e rrezikimit për procesin e votimit të mërgatës”, tha Krasniqi.

E anëtari Muharrem Nitaj nga AAK tha se ekziston pika tjetër që mundëson dërgimin e fletëvotimeve me platformë elektronike.

“Votimi dhe vendimi në KQZ ka qenë që të dërgohen fletëvotimet me postë e vendimi që na vjen sot thuhet se dërgohen përmes platformës. Unë nuk kam nevojë për kohë dhe nuk mundem me votu në paketë një situatcion që nuk e di se çfarë mund të ndodhë dhe nëse dështon posta, atëherë kërkoj që të vjen në rend dite problematika. Nuk mundemi me paragjyku një votim se a ka me dështu a jo, pra se çka do të vejmë nëse i bjen Bajrami në Ramazan. Nuk mundem pra me votu këtë”, tha ai, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.

Ai u pyet nga Alban Krasniqi nëse është kundër votimit të diasporës, apo pro.

“Nuk jam kundër votimit të diasporës”, tha Nitaj.

“Unë mendoj që kjo pyetje nuk është korrekte. Jam për me votu diaspora, por jam kundër hapësirës që mundëson keqpërdorime. Ne po takohemi në situata çfarë i kemi nga tre herë në ditë. Nuk e kemi fare problem që të takohemi me urgjencë për probleme. Por ku e dini ju se do të dështojë procesi me postë”, u shpreh anëtari i AAK-së në KQZ.

Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, tha se as partia e tij nuk është kundër votimit të diasporës, por shtoi se ky votim e do një rregull.

“E kemi marrë një vendim paraprak në KQZ. Është e vërtetë që procesi me platformë është më i lehtë, por jo më i sigurt”, tha Hamiti, duke shtuar se platforma elektronike mund të hakohet.

Edhe anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi, tha se procesi i dërgimit të votës për mërgatën përmes platformës elektronike është më i cenueshëm.

“Jam për rrugë më të lehta, por asnjëherë rrugë që rrezikojnë procesin apo integritetin e procesit”, u shpreh ai.

Duke parë se nuk ka pajtueshmëri për këtë pikë, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se do të shkojnë në një pauzë të shkurtër.