“S’ka logjikë propozimi i Kurtit që Asociacioni të dërgohet në Komisionin e Venecias”

E publikuar: 06/06/2024 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Kushtetueses, e ka konsideruar si të palogjikshme si në aspektin juridik njashtu edhe politik, propozimin e kryeministrit Albin Kurti që drafti i Asociacionit të dërgohet në Komisionin e Venecias.

Kryeziu ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka vetëm një detyrë, ta dërgojë këtë draft në Gjykatën Kushtetuese dhe, sipas tij, sa më parë.

“Institucionet e shtetit kanë të drejtë të dërgojnë kërkesë në Komision, por ky nuk merr vendim, jep vetëm rekomandime të tilla, ato kryesisht bëhen nga institucionet, por sipas mendimit tim, nuk ka ndonjë logjik as juridike e as politike. Qeveria e ka vetëm këtë detyrë, që këtë draft staut ta dërgojë në Kushtetuese dhe sa më herët aq më mirë”, ka deklaruar Kryeziu në emisionin FIVE.

Në vazhdim, ai ka potencuar se propozimi i kryeministrit Kurti për ta dërguar draftin në Komisionin e Venecias është i pavlefshëm, duke shtuar se ky komision nuk ka fuqi vendimmarrëse, por vetëm jep rekomandime.

Kryeziu ka insistuar se drafti duhet të shqyrtohet në Kushtetuese, siç është paraparë në marrëveshjet e mëparshme.

Kjo pasi, sipas tij, dokumenti është hartuar nga bashkësia ndërkombëtare me ekspertizë të fushave të drejtësisë dhe duhet të respektohet si dokument zyrtar që duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo është një marrëveshje e shkruar të cilën këtë marrëveshje bazohen gjithë faktori i brendshëm dhe faktori i jashtëm i cili duhet të zbatohet si i tillë. Në marrëveshje thuhet, pra të vitit 2015, e Brukselit, se statutin këtë aktin ligjor e ka për detyrë Qeveria e Kosovës që ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Kjo formë është një mendim i kryeministrit, nuk ka shumë kuptim për arsyeje se kryeministrit i është ofruar që ai më herët ta bëjë një draft statut, të cilin nuk e ka pranuar dhe pastaj bashkësia ndërkombëtare me ekspertë të fushave të drejtësisë dhe e kanë hartuar si të tillë, dhe ai është dokument zyrtar i cili është dërguar te kryeministri dhe ai dokument duhet të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese”, ka deklaruar ai.