S’ka liberalizim të vizave, Thaçi akuzon rëndë Brukselin thotë se po e nxit ekstremizmin në Kosovë

E publikuar: 15/12/2015 16:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, po akuzon BE-në dhe shprehet i zhgënjyer me organizatën evropiane për vonesat në procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Ai përmes një statusi në Facebook konsideron se izolimi i qytetarëve të Kosovës po rrezikon vendin nga ekstremizmi dhe po ashtu pengon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ky është postimi i plotë i Thaçit:

Sot Këshilli i Bashkimit Evropian bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit.
Përderisa i jemi mirënjohës BE-së për nënshkrimin e MSA-së, unë shpreh zhgënjimin e thellë për vonesat e pakuptimta të BE-së për liberalizimin e vizave. Këtë vonesë të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën e konsideroj provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel.

Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin tek qytetarët e Kosovës.

Për më tepër, kjo qasje e BE-së është duke rrezikuar të gjitha proceset e rëndësishme në vend, përfshirë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjen e marrëveshjeve të reja. Prandaj, konsideroj që BE-ja duhet t’i jap fund këtij trajtimi diskriminues kundër Kosovës dhe kështu të jap ndihmën e saj për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Përkundër kësaj, durimi i ynë do të jetë më i fuqishëm se paaftësia e Brukselit. Por, Kosova nuk guxon të diskriminohet edhe më tej vetëm për shkak se nuk është si Kolumbia dhe Ukraina. Good luck EU! HTH