S’ka indikator të rritjes ekonomike

E publikuar: 16/04/2016 17:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria që ai drejton, i ka përmbushur nëntëdhjetë për qind të objektivave që ka pasur gjatë vitit të kaluar.

Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Mustafa ka thënë se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe, sipas tij, kjo rritje është 3.6 për qind.

“Të punësuar rreth 18,000 vetë. Buxheti stabil, janë përmbushur detyrimet buxhetore. Fillimi i operimit të bizneseve për 27.5% më i lirë. Rritja mesatare e pagave 6%, rritja e ndihmave sociale 25%, rritja e fondeve për shtyllat e pensioneve kontribut-dhënës mbi 30% dhe implementimi i pensioneve për veteran të UÇK-së”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Isa Mustafa, ka përmendur edhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe ka theksuar se Kosova është “ranguar të përfitojë qindra miliona dollarë nga MCC (Korporata e Sfidave të Mileniumit të SHBA-së)”.

“Jemi në prag të fillimit të ndërtimit të Kosovës së Re. Është aprovuar Programi i Reformave Ekonomike, Strategjia Kombëtare Zhvillimore, ka filluar të implementohet Ligji për faljen e borxheve publike deri në fund të vitit 2008, me ligj është themeluar Fondi për garantimin e kredive për NVM-të, është në procedurë Ligji për Investime Strategjike”, ka thënë më tej ai.

Nënkryetari i komunës se Prishtinës, Dardan Sejdiu, nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se deklaratat e kryeministrit Musatafa nuk qëndrojnë dhe se, sipas tij, Kosova jo që nuk ka zhvillim të duhur ekonomik, por vazhdon të jetë shteti me i varfër në Evropë.

“Rreth 40 % e popullatës, e cila është në gjendje të punojë, është e papunë. Jemi duke folur për vendin, i cili e ka disbalancin më të madh tregtar në rajon dhe Evropë. Dymbëdhjetë fish më shumë importojmë sesa që eksportojmë”.

“Nuk kemi industri prodhuese. E gjithë ekonomia është e bazuar në import, rrjedhimisht i gjithë buxheti mbushet nga Dogana dhe kur flasim për rritje, krejt këto elemente ky kryeministër i abstrahon”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu, duke folur për deklaratat e kryeministrit Mustafa, ka theksuar se ministrat e kabinetit qeveritar nuk janë të interesuar që të zgjidhin probleme ekonomike, por siç u shpreh ai “ata janë të interesuar të flasin për higjiena administrative”.

“Kemi disbalancin më të madh në Evropë, importojmë rreth 400 milionë vetëm nga Serbia. Kjo është shuma e parave që vjen prej bashkatdhetarëve tanë. Pra, jemi duke parë një pëlhurë, e cila nuk e ka asnjë dallim praj asaj që e kemi pasur në 15 vjetët e fundit”, është shprehur Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, njëherësh kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, zhvillimi ekonomik në Kosovë, është anashkaluar si pasojë e proceseve politike.

Si rrjedhojë, thekson Gërxhalu, sfidat në Kosovë janë shumë të mëdha si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë social.

“Nëse e kemi këtë realitet të varfërisë ekstreme, nëse e kemi ketë shkallë të papunësisë dhe nëse kemi këtë rënie të investimeve të huaja dhe kemi këtë de-balancë me bilancin tregtar, vërtet, kemi shumë arsye më të mëdha për t’u mobilizuar për të dalë nga një situatë e krijuar, sesa për të shprehur eufori për rezultate të arritura”.

“Ajo çka është më esenciale nëse thuhet se kemi një rritje ekonomike 3.6% që unë kisha pasur dëshirë të besoj se është diçka e tillë, atëherë lind pyetja se me çfarë indikatori mat dhe në çka zbërthehet një rritje ekonomike e tillë?! Duhet vërtet të jemi realë dhe duhet të jemi ata që ecim në tokë, nuk kemi arsye për eufori për të arritura pompoze”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Rritja ekonomike, nënkupton rritjen e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit. Në këtë vit, në Republikën e Kosovës, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, pritet të ketë rritje ekonomike deri në 3.7 për qind, transmeton rel.

Ky nivel i rritjes, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk mund të sigurojë zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies sociale, ngase baza e rritjes ekonomike prej tre për qind në Kosovë është shumë e ulët.