Hyrjet anësore të Klinikës së Kirurgjisë në QKUK po shfrytëzohen si deponi të mbeturinave.
Edhe muret dhe tavani i kësaj klinike janë në gjendje të mjerueshme. Nga inspektimet e fundit të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit ndaj menaxhmentit të QKUK-së janë dhënë vërejtje serioze sanitare.
Vërejtjet më të theksuara kanë të bëjnë me hyrje-daljet e 30 mijë vizitorëve brenda ditës në QKUK, mungesa e të mbathurave sterile për vizitor në hyrje të çdo klinike, lëvizja e mjekëve në oborr dhe brenda klinikave me të njëjtat rroba, mungesa e ventilimit në sallat e operacionit dhe vjetërsia e objekteve të QKUK-së, te cilat sipas AVUK-ut janë burime të infeksioneve brendaspitaliore.
“Kanalizimi shumë i vjetruar. Kemi probleme me ventilimin e sallave operative i cili është shumë i kushtueshëm edhe pse janë rinovuar mirëpo ka ende probleme. Mirëmbajtja higjienike ka kosto të lartë dhe ne duhet ta kuptojmë se higjiena shëndetësore ka specifikat e saja”, tha Ibrahim Tërshnjaku, Kryeinspektor sanitar në AVUK.
Sipas raportit të tyre në gjendje të keqe sanitare janë ambulancat specialistike të ortopedisë dhe kirurgjisë dhe klinika e gjinekologjisë.
Ndërsa kryetari i komisionit për infeksionet brendaspitalore, thotë se për luftimin e infeksioneve nuk janë ndarë mjete nga buxheti i QKUK -së.
“Më të rrezikuara ndaj infeksioneve është mjekimi intensiv, klinika e pediatrisë dhe ajo e kirurgjisë, sipas parametrave ne nuk qëndrojmë edhe shumë keq duke e marrë parasysh edhe problemet me të cilat ballafaqohemi. Është e pamundur që t’i luftojmë infeksionet kur në korridorin e mjekimit intensiv ka vazhdimisht qarkullim të familjarëve, e poashtu ne nuk kemi buxhet të ndarë mirëpo mundohemi që të mbijetojmë me donacione”, tha Izet Sadiku, Kryetar i Komisionit për luftimin e infeksioneve brenda spitalore .
Zyrtarë të inspektoratit sanitar të AVUK-ut, thonë se higjiena shëndetësore kërkon kosto të lartë dhe bën thirrje tek qeveria që të shtohet buxheti për shëndetësinë publike.