Investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie të dukshme, flasin statistikat e Bankës Qendrore.
Sipas tyre, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, investimet e huaja arritën vlerën prej 97.5 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 163.0 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015.
Situata politike është shkaktar i rënies së nivelit të investimeve të huaja, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, duke thënë se shifrat e investimeve lëvizin gjatë vitit, ai thekson se situata aktuale politike dhe mos miratimi i Ligjit për Investime Strategjike, ka bërë investitorët e huaj hezitojnë të investojnë në Kosovë.
“Për arsye se çdo problem politik, krijon një imazh negativ të vendit. Por, më tepër mund të them se vonesat që po shkaktohen për shkak të politikave, si vonesa në miratimin e ligjeve të ndryshme, po krijojnë një zvarritje të procesit dhe të përmirësimit të ambientit të biznesit”, thotë Balija.
Edhe koordinatori i Forumit të Politikave Zhvillimore në Kosovë, Berim Ramosaj, për Radion Evropa e Lirë thotë se situata e brishtë politike dhe niveli i lartë i korrupsionit në vend ka krijuar pasiguri tek nvestitorët ndërkombëtar, që kapitalin e tyre të shtrijnë në Kosovë.
“Faktori kyç është situata politike e paqëndrueshme, duke marrë edhe premisat e komponentës së pasigurisë. Pastaj, çështje mjaft e rëndësishme është shkalla e lartë e korrupsionit. Faktor tjetër është edhe mangësia në qasjen proaktive në ndërtimin e ligjeve që të inkurajojnë bizneset e huaja”, ka thënë Ramosaj.
Se zhvillimet politike kanë penguar ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë, muajin e kaluar ka thënë për Radion Evropa e Lirë kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa. Ai pati thënë se gjatë takimeve me investitorë të interesuar për afarizëm me Kosovën, është përmendur situata politike si problem.
Mosmiratimi i ligjeve në interes të investitorëve të huaj, por edhe politikat sektoriale në sektorë të ndryshëm, thotë Shpend Baliaj,ka bërë që edhe kompanitë aktuale që veprojnë në Kosovë janë përqendruar në zvogëlimin gradual të investimeve në Kosovë
“Edhe politikat sektoriale në sistemin e financave janë disa pengesa të jashtëzakonshme të cilat e krijojnë një ambient ku edhe kompanitë aktuale janë duke funksionuar dhe vepruar në zvogëlimin e investimeve aktuale që kanë në Kosovë.”
“Dhe politikat e tyre tashme janë përqendruar në politikat e tyre janë përqendruar në zvogëlimin gradual të investimeve kapitale, të cilat i shtrijnë në Kosovë”, thotë Baliaj.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, zvogëlim i investimeve të huaja gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, janë evidentuar sidomos në sektorin e patundshmërive dhe në sektorin e shërbimeve financiare . Në anën tjetër, sektorët e ekonomisë që u karakterizuan me rritje të investimeve ishin sektori i shërbimeve tregtare dhe sektori i bujqësisë, transmeton rel.
Ndryshe, në vitin 2015 investimet e huaja kanë qenë rreth 320 milionë euro.