Lidhja Demokratike e Kosovës pas situatës së krijuar ka thënë se “po ndjek me shumë kujdes situatën e krijuar pas dështimit të sotëm, në Bruksel, të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së”
Gjatë tërë ditës ka pasur bisedime në Bruksel – por pa rezultate.
“LDK-ja vlerëson se stabiliteti dhe siguria janë kushte thelbësore për të arritur progres, si dhe për të ushtruar sovranitetin në gjithë territorin e saj”, thuhet në komunikatën e LDK-së. “Shtrirja e ligjshmërisë në gjithë territorin është e drejtë e pamohueshme e Kosovës. Suksesin e garanton koordinimi me aleatët tanë, ShBA dhe BE”.
Sipas LDK-së, Qeveria e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të sillet në atë mënyrë që Serbia të duket mirë dhe të fajësohet Kosova, “siç ndodhi sot”, deklaron partia opoziare.
“Kosovës i duhen aleatët e saj, përkrahës historik të popullit të Kosovës. Kush i dëmton raportet me aleatët, rrezikon ta lë vendin tonë pa përkrahje. Kosova ka arritur deri këtu bashkë me aleatët dhe kështu duhet të vazhdojë edhe më tutje”.
Situata në Veriun e Kosovës është e qetë, ndërkaq nga nesër në ora 8 të mëngjesit pritet edhe nisja e shqiptimit të gjobave për qytetarët që nuk i kanë targat RKS. /Express