Meteorologu Mendim Rugova tha se “tymi” i 1 janarit që u pa mbi Prishtinë në disa fotografi që qarkulluan në rrjetet sociale, ishte në fakt një mjegull e parashikuar, dhe jo diçka e krijuar ekskluzivisht nga fishekzjarret.
Mendim Rugova tha në T7 se grimcat nga shpërthimi i mjeteve piroteknike mund të kenë ndihmuar që të duket ashtu, por në thelb ajo që u pa ishte mjegull.
“Ka qenë e parashikuar ajo mjegull për shkak të atyre kushteve anticiklonike që i kemi pasë përmbi vend. Edhe një ditë më herët ka pasë në disa pjesë të vendit mjegull. Tash natyrisht këto grimcat e këtyre gazrave që lirohen prej mjeteve piroteknike, natyrisht që munden pak me ndiku ndoshta në një rritje të grimcave”, tha ai.
“Fishekzjarret nuk e kanë bë. Ajo patjetër që ka qenë e parashikuar”, theksoi Mendim Rugova.
Ai tha se “krejt rrafshi i Kosovës ka qenë i mbuluar me mjegull”, por edhe disa pjesë tjera të vendit.
Cilësia e ajrit, Mendim Rugova tha se u përmirësua pak më 2 janar pas përkeqësimit një ditë më parë. Përmirësimin e cilësisë së ajrit, ai tha se e ndihmuan më tej edhe erërat dhe të reshurat në fundjavë.