“Sindroma e tenderëve njëburimorë” prek edhe Gjykatën Kushtetuese, jep kontratë për pastrim pa garë

E publikuar: 10/02/2026 02:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, institucioni më i lartë për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interpretimin e ligjeve, nuk i ka shpëtuar trendit të tenderave njëburimor. Ky institucion ka dhënë një kontratë për mirëmbajtjen dhe pastrimin e objektit të saj përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, duke përjashtuar kështu garën e hapur mes operatorëve ekonomikë, raporton Infosot.

Sipas njoftimit zyrtar për dhënie të kontratës të përgatitur më 4 shkurt 2026, kontrata me titull “Mirëmbajtja dhe pastrimi i objektit të Gjykatës Kushtetuese” është zhvilluar në kuadër të procedurës “e negociuar pa publikimit të njoftimit për kontratë”, e paraparë në Ligjin për Prokurimin Publik vetëm për raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara qartë.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 8,800 euro, ndërsa vlera përfundimtare e kontratës së dhënë është 7,755.36 euro për një periudhë tre mujore. Kontrata pritet të nënshkruhet më 6 shkurt 2026, ndërsa është dhënë kompanisë “Efa Dienstleistung GmbH – Dega në Kosovë”, me seli në Prishtinë.

Dokumentacioni zyrtar tregon se në këtë procedurë janë pranuar dy tenderë, por megjithatë është zgjedhur forma e negocimit pa shpallje publike, një praktikë e njohur në opinion si “tender njëburimor”, pasi kufizon konkurrencën dhe transparencën. Kjo procedurë, sipas parimeve bazë të prokurimit publik, duhet të përdoret vetëm kur ekzistojnë arsye të forta teknike, emergjente ose ligjore, të cilat nuk janë të sqaruara në mënyrë të detajuar në njoftimin e publikuar.

Ironikisht, ky vendim vjen nga vetë Gjykata Kushtetuese, institucioni që në vendimet e saj ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e ligjshmërisë, transparencës dhe barazisë para ligjit. Megjithatë, rasti ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e frymës së Ligjit për Prokurimin Publik, sidomos kur bëhet fjalë për shmangien e procedurave të hapura që sigurojnë konkurrencë reale dhe përdorim më efikas të parasë publike.

Ky rast forcon perceptimin se fenomeni i tenderëve me negocim pa garë nuk është i kufizuar vetëm në institucione ekzekutive apo ndërmarrje publike, por prek edhe institucionet më të larta të sistemit juridik të vendit.

Link:
B08 Njoftim per dhenje te kontrates-Gjykata Kushtetuese (Dokument)