Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i bën thirrje të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm për ndarjen e mjeteve financiare për RTK-në, në përputhje me buxhetin e miratuar me ligj nga Kuvendi i Kosovës.
Ndërsa, sipas kësaj sindikate, nëse deri më 5 gusht nuk bëhet alokimi i mjeteve financiare për RTK-në, Sindikata do të nisë protestat e paralajmëruara. Njëkohësisht, SPERTK do të kërkojë që të pezullohet mbulimi i çdo aktiviteti politik nga RTK dhe do të ndërmarrë hapa ligjorë përmes padive në gjykatë ndaj të gjithë përgjegjësve për situatën e krijuar.
Sipas njoftimit, ekzistojnë zgjidhje të plota ligjore për të siguruar funksionimin e transmetuesit publik dhe për të parandaluar kolapsin institucional të RTK-së, e cila tashmë ndodhet në një gjendje alarmante financiare.
“Çdo vonesë shtesë rrezikon jo vetëm misionin kushtetues të RTK-së, por edhe mundësinë që qindra punëtorë të mbesin pa paga, duke i ekspozuar ata dhe familjet e tyre ndaj pasigurive serioze sociale”, thuhet në njoftim.
Në komunikatë thuhet se RTK nuk ka qenë dhe nuk është barrë për shtetin – ajo është një aset shtetëror i pazëvendësueshëm që kontribuon në informimin e drejtë të qytetarëve, përfaqësimin e të gjitha komuniteteve dhe forcimin e demokracisë në vend.
“Mospërmbushja e obligimeve financiare ndaj RTK-së përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe rrezikon funksionimin e vet të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë”, thuhet në njoftim.
SPERTK u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të trajtojnë kërkesat tona legjitime dhe të mbështetura në bazë ligjore.
“Kërkojmë që RTK të trajtohet me ligjshmëri, përgjegjësi dhe meritokraci – ashtu siç i takon një institucioni që i shërben interesit publik dhe qytetarëve të të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Ditë më parë, SPERTK u bëri thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të mos e përdorin RTK-në për interesa politike, por ta mbrojnë atë si pronë publike dhe si një ndër shtyllat e demokracisë.


















