Sindikata e Punëtorëve të RTK’së mirëpret Raportin e Progresit

E publikuar: 11/11/2015 12:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e punëtorëve e RTK-së e ka mirëpritur Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ku një pjesë e të cilit iu kushtua Radio Televizionit Publik të Kosovës.

Edhe në raport saktësohet se “Kosova ka dështuar ta përmbushë detyrimin e saj ligjor për të siguruar pavarësinë financiare të RTK-së brenda afatit kohor të kërkuar” për ç’gjë edhe kemi reaguar si sindikatë disa herë. SPERTK është e shqetësuar me këtë situatë të krijuar për transmetuesin e vetëm Publik – RTK. SPERTK kërkon edhe një herë nga Kuvendi i Kosovës që të sigurojë një formë të pavarur të financimit të RTK-së e cila do të kontribuonte në parandalimin e presioneve të cilat tashmë po vijnë hapur nga Qeveria e Kosovës dhe partitë politike.

SPERTK kërkon nga Kuvendi i Kosovës si themelues i RTK-së të merret seriozisht me çështjen e financimit të pavarur, zgjidhjen e pronës së përhershme të RTK-së dhe miratimin e ligjit për RTK-në. Njëherësh kërkojmë nga bordi dhe menaxhmenti i RTK-së të paraqesin alternativat e tyre për këto tri çështje. SPERTK përsëri ua rikujton Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit që derisa të zgjidhet çështja e financimit të pavarur, të sigurojë financim të përkohshëm. Nëse këto kërkesa nuk përmbushen brenda kësaj jave, ne do t’i thërrasim kolegët tanë në protesta, deri në plotësimin e kërkesave tona.

SPERTK konsideron se zgjidhja e pavarur e financimit është forma me mire për të ardhmen dhe zhvillimin e RTK-së. SPERTK ia rikujton Kuvendit të Kosovës, se tashmë Televizionet Publike të rajonit kanë përfunduar procesin e digjitalizimit që është jetik për një medie, ndërsa RTK në këtë proces nuk e ka filluar fare për shkak të mosfinancimit nga ana e Kuvendit. SPERTK edhe njëherë ia rikujton Kuvendit dhe Qeverisë se është koha e fundit kur duhet të gjendet zgjidhje e përhershme për RTK-në, ndryshe në këto rrethana RTK-së do t’i pamundësohet funksionimi i saj normal.