Sindikata e Policëve i konsideron diskriminuese pagat prej 392 eurove, nga VV-ja thonë se do t’i marrin parasysh vitin e ardhshëm

E publikuar: 15/02/2022 12:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Policisë së Kosovës, gjatë diskutimit në Komisionin për Siguri, e ka konsideruar si të papranueshëm Projektligjin për pagat dhe koeficientin e vendosur.

Sipas Kryetarit të Sindikatës, Imer Zeqiri, koeficienti i pagës së policit është diskriminues, shkruan lajmi.net.

“Është me rrezikshmëri dhe këta janë ata policë që ia përgatisin prokurorit lëndën për gjykatë. Një prokuror, në krahasim me një polic, i merr 5 paga. Aktualisht paga e policit është 392 euro. Është i papranueshëm projektligji me këta koeficientë”, deklaroi Zeqiri para Komisionit për Siguri.

Zeqiri theksoi se kanë pakënaqësi edhe sa i përket mungesës së sigurimit shëndetësor.

“Jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e botë, nuk ka polici pa sigurim shëndetësor. Policia mbetet më së gjati pa sigurim shëndetësor”, tha ai.

Sipas kreut të Sindikatës, rreth 5 milionë euro në vit do të kushtonte sigurime shëndetësor për Policinë e Kosovës.

“Policia i ka 9.119 punonjës, kjo shifër përfshin edhe stafin civil. Kemi 21 zyrtarë të vrarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. 300 kanë vdekur në detyrë, 426 që janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës. 528 policë me sëmundje të veçanta. Prej fillimit të pandemisë, 25 zyrtarë kanë vdekur nga pandemia. Mbi 2.500 janë infektuar me COVID-19”, tha tutje ai, derisa anëtarët e Komisionit i vijuan me pyetje.

Ndërkaq, Enver Dugolli, deputet nga radhët e LVV-së, ka thënë se për të është e rëndësishme jo zhurma e sindikatave, por bashkëpunimi dhe dialogu.

Sa i përket ligjit të pagave, ai ka kërkuar që të kalojë sepse siç theksoi, ata që më së shumti do të pësojnë humbje janë pikërisht policët.

Dugolli ka thënë se si komision janë për bashkëpunim, dhe kërkoi që urat e komunikimit të jenë lajmotiv.

“Ligji i pagave të kalojë dhe të mos na kthehet nga zeroja siç ka ndodhur sepse pastaj pikërisht humbësit më të mëdhenj janë edhe policia, mjekët civil, edhe shërbyesit civil sepse në rast se e bëjmë keq, edhe na kontestohet prapë në Gjykatën Kushtetuese, kjo është humbja më e madhe dhe nuk është humbje nëse e shtyjmë dhe dialogojmë, i shterrim të gjitha mundësitë që të bëjmë një ligj sa më të mirë”, u shpreh ai.

“Sigurimet shëndetësore, Ligji për pensionim të parakohshëm, kanë qenë premtime dhe besoj që këto do të adresohen me kohë, shpresoj që shumë shpejt ministri do të na jep sqarime të nevojshme se nuk është në këtë vit në legjislativ, por jam i bindur që në mos këtë vit, vitin e ardhshëm doemos do të vijë”, shtoi ai.