“Simpoziumi për të drejtat e njeriut Kinë-BE 2022” fokusohet në teknologjinë dhe të drejtat e njeriut

E publikuar: 12/05/2022 11:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoqata Kineze për Studimin e të Drejtave të Njeriut dhe Shoqata e Miqësisë Austri-Kinë zhvilluan së bashku “Seminarin për të drejtat e njeriut Kinë-BE 2022”, në dy vende kryesore: në Wuhan të Kinës dhe Vjenë të Austrisë.

Tema e seminarit kishte në fokus shkencën e teknologjinë dhe të drejtat e njeriut. Përfaqësues nga Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara dhe më shumë se 100 ekspertë, studiues dhe zyrtarë të lartë nga fusha e të drejtave të njeriut nga e gjithë bota zhvilluan diskutime e shkëmbime mendimesh.

Xu Xianming, nënkryetar i Shoqatës Kineze për Studimin e të Drejtave të Njeriut, tha se në procesin e promovimit të zhvillimit të të drejtave të njeriut, Kina ka nxitur në mënyrë aktive zhvillimin e ekuilibruar të risive tekniko-shkencore me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kina po ashtu ka kryer në mënyrë aktive bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e shkencës e të teknologjisë, në mënyrë që shkenca dhe teknologjia të japin një kontribut më të madh në promovimin e ndërtimit të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

Ish-presidenti austriak Heinz Fischer mendon se interneti, të dhënat e mëdha dhe inteligjenca artificiale e kanë ndryshuar jetën tonë dhe kanë sjellë sfida e mundësi të reja në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Sipas tij, është shumë e rëndësishme të forcohet komunikimi ndërmjet vendeve të mbarë botës dhe të promovohet mirëkuptimi i ndërsjellë. Shkëmbimet e thelluara ndërmjet ekspertëve dhe studiuesve do të sjellin më shumë mirëkuptim e bashkëpunim për kauzën e të drejtave të njeriut, vuri në dukje Fischer.

Ekspertët pjesëmarrës në këtë veprimtari përgjithësisht shprehën besimin se respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut në epokën e shkencës e të teknologjisë është bërë një prirje dhe tipar i ri në zhvillimin e të drejtave të njeriut në teori, legjislacion dhe praktikë. Vendet e ndryshme duhet të forcojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimet, të bashkojnë forcat përpara mundësive e sfidave të reja në zhvillimin e të drejtave të njeriut dhe të punojnë së bashku për të promovuar ndërthurjen e zhvillimit teknologjik global dhe qeverisjes së të drejtave të njeriut.