Silvio Berlusconi dënohet me 3 vjet burg

E publikuar: 08/07/2015 20:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Silvio Berlusconi është dënuar nga Gjykata e Napolit me tre vjet burg për korrupsion në procesin ku akuzohej për blerjen e senatorit Sergio De Gregorio.

Sipas Prokurorisë janë paguar 3 milionë euro midis viteve 2006 dhe 2008 për të dobësuar apo edhe për të rrëzuar qeverinë e kryesuar nga Romano Prodi.

Bashkë me ish-kavalierin u akuzua edhe Valter Lavitola që do të shërbente si ndërmjetës për pagesën e shumës. Prokuroria kërkoi një dënim prej pesë vjetësh burg për Berlusconin dhe katër vjet e katër muaj për Valter Lavitolan.

Avokatët e mbrojtjes theksuan pas procesit se akuza nuk kishte pasur ndonjë dëshmi për të provuar ekzistencën e një marrëveshjeje të paligjshme. Ata paralajmëruan se do ta apelojnë vendimin.