Sigal Prishtina mundet nga Astana

E publikuar: 25/11/2015 18:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sigal Prishtina pësoi një tjetër humbje në raundin e pestë të Grupit K në FIBA Euro Cup. Skuadra më e mirë e Kosovës në basketboll, kampionia në fuqi e Balkanleague, u mposht 82-78 nga Astana e Kazakistanit, që u tregua më e saktë në minutat e fundit të takimit.

Vendasit e nisën më mirë ndeshjen, duke qëndruar vazhdimisht në epërsi, teksa në fund të pjesës së parë tabela elektronike tregonte shifrat 45-37.

Në periodën e katërt Sigal Prishtina e rriti ndjeshëm ritmin, duke iu afruar shumë fitores, por pikërisht në momentet me delikate dy gabime të njëpasnjëshme i kushtuan shumë skuadrës së drejtuar nga Marjan Ilievski.

Dardan Berisha dhe Mohamed Abukar ishin më të mirët në parket për Sigal Prishtinën, duke shënuar respektivisht 26 dhe 25 pikë, por fatkeqësisht forma e tyre nuk mjaftoi për të shmangur hubmjen në kryeqytetin e Kazakistanit.

Prishtinasit do ta kërkojnë kualifikimin për fazën tjetër në sfidën e raundit të fundit në Grup përballë AEK-ut në shtëpi.