Gjykata për Krimet e Rënda ka zbardhur vendimin e arsyetuar ndaj një grupi kriminal të akuzuar për vrasje me pagesë të porositura nga burgu nga i dënuari me burgim të përjetshëm Admir Tafili. Është një material mbi 200 faqe ku gjykata ka zbardhur detajet e funksionimit të grupit, si edhe përgjimet e koduara mes të pandehurve. Në vendim thuhet se Admir Tafili bashkë me grupin tjetër janë njohur në burgun e Bradasheshit, ku u miqësuan dhe u bënë “vëllezër gjaku” duke i premtuar njëri-tjetrin mbrojtje, deri në dhënien e jetës po të ishte nevoja. Një vit më vonë, Kristi Pine, jo vetëm që theu premtimin, por pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë. Në statusin e “të penduarit” ai tregoi para hetuesve porositë që merrte nga burgu prej shkodranit Admir Tafili i cili tashmë është dënuar me tjetër burg të përjkteshëm për akuzat e vrasjeve me pagesë.
Gjykata për Krimet e Rënda ka zbardhur arsyetimin e vendimit përfundimtar ndaj Tafilit dhe 9 të bashkëpandehurve të tij, ku i pari mori një tjetër dënim me burgim përjetë. Sipas gjykatës, i pandehuri Admir Tafilaj është ideuesi dhe krijuesi i grupit kriminal bashkë me Kristi Pinen dhe Elson Merdanin. Të pandehurit e tjerë janë “rekrutuar” prej tij, por bashkëpunimi i tyre në varësi të episodeve është i thjeshtë dhe jo si grup i strukturuar kriminal. Togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda arsyetojnë se ishte Tafili ai që përmes lidhjeve të tij brenda e jashtë burgut merrte porositë për vrasje. Më tej ai ndante detyrat dhe rolet tek të tjerët. Elson Merdani merrej me gjetjen e armëve, shpenzimet për lëvizjen apo udhëtimet, ndërsa roli i ekzekutorit i takonte Kristi Pines.
Sipas gjykatës, përveç një vrasjeje, që Pine ia ka bërë si nder Tafilajt, për të tjerat “pazari” ka variuar nga 15 mijë në 50 mijë euro. Përgjime telefonike mes të pandehurve kanë qenë një nga provat e prokurorisë në gjykim. Në një bisedë të 31 tetorit 2014, Kristi Pine i tregon Tafilit në burg për përgatitjet për eliminimin e Leonard Muratajt, vepër e pakryer prej tij. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, të pandehurit përdorin terma të koduar për armët dhe fishekët. Të pandehurit e dosjes u fajësuan për akuza të ndryshme në lidhje me vrasjen e Brahim Manit në Shkodër, në qershor 2014-s, tentativën e vrasjes së Edmond Çakmashit në shtator të këtij viti, si dhe përgatitjen e kushteve për ekzekutimin Leonard Muratajt dhe Majlind Lilës në harkun tetor-dhjetor 2014. Për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, Kristi Pine u dënua përfundimisht me 10 vjet burg. Të dhjetë të pandehurit e kanë kundërshtuar vendimin në Apelin të Krimeve të Rënda, ndërsa gjykata u mbajt fort te një pjesë përgjimesh që u gjenden nga prokuroria./shekulli


















