Si t'i luftojmë demagogët populistë

E publikuar: 14/11/2017 21:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një konferencë të fundit ku mora pjesë, isha ulur pranë një eksperti të shquar amerikan të politikës tregtare. Filluam të flisnim për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), të cilën presidenti Donald Trump e ka fajësuar për problemet e punëtorëve amerikanë dhe po përpiqet ta rinegociojë. “Nuk kam menduar kurrë se NAFTA ishte një problem i madh,” tha ekonomisti.

Unë shtanga. Eksperti kishte qenë një nga përkrahësit më të mëdhenj dhe më të zëshëm të NAFTA-s kur marrëveshja u përfundua një çerek shekulli më parë. Ai dhe ekonomistë të tjerë tregtarë kishin luajtur një rol të madh në shitjen e marrëveshjes tek publiku amerikan. “E mbështeta NAFTA-n sepse mendova se do t’i hapte rrugë marrëveshjeve të mëtejshme tregtare,” shpjegoi miku im.
Nja dy javë më vonë, isha në një darkë në Europë, ku folësi ishte një ish-ministër financash nga një vend i eurozonës. Tema ishte rritja e populizmit. Ish-ministri ishte larguar nga jeta politike dhe kishte fjalë të ashpra për gabimet që ai mendonte se kishte bërë elita e politikës europiane. “Ne i akuzojmë populistët se bëjnë premtime që s’mund t’i mbajnë, por ne duhet ta kthejmë atë kritikë nga vetja,” na tha ai.
Më herët gjatë darkës, kisha diskutuar atë që unë e përshkruaj si një trilemë, nëpërmjet të cilës është e mundur të ketë njëkohësisht sovranitet kombëtar, demokraci dhe hiper-globalizim. Ne duhet të zgjedhim dy nga tre. Ish-politikani foli me pasion: “Populistët të paktën janë të ndershëm. Ata janë të qartë për zgjedhjen që ata po bëjnë. Ata duan shtetin komb dhe jo hiper-globalizimin apo tregun e vetëm europian. Por ne i thamë popullit tonë se ata mund t’i kishin njëkohësisht të tria ëmbëlsirat. Bëmë premtime që nuk mund t’i mbanim.”
Nuk do ta dimë kurrë nëse ndershmëria e madhe nga ana e politikanëve dhe teknokratëve të zakonshëm do të na kursente rritjen e demagogëve nativistë si Trump apo Marine Le Pen në Francë. Ajo që është e qartë është se mungesa e sinqeritetit në të kaluarën ka pasur çmimin e saj. Ajo i ka lëvizur lëvizjet politike nga qendra e besueshmërisë së tyre. Dhe kjo e bërë edhe më të vështirë  që elitat të lidhin hendekun që i ndan ata nga njerëzit e zakonshëm që ndihen të braktisur nga establishmenti.
Shumë elita janë të habitur përse njerëzit e varfër apo ata të klasës punëtore do të votonin për një njeri si Trumpi. Në fund të fundit, politikat ekonomike të shpallura nga Hillari Klinton do të ishin me shumë gjasa më të favorshme për ta. Për të shpjeguar paradoksin e dukshëm, ata citojnë injorancën, irracionalizmin ose racizmin e këtyre votuesve.
Por ka një shpjegim tjetër, i cili është plotësisht në përputhje me racionalitetin dhe interesin vetjak. Kur politikanët e zakonshëm humbasin besueshmërinë e tyre, është e natyrshme që votuesit t’i skontojnë premtimet që ata bëjnë. Votuesit kanë më shumë gjasa të tërhiqen nga kandidatë që kanë kredenciale anti-establishment dhe mund të pritet të largohen nga politikat mbizotëruese.
Në gjuhën e ekonomistëve, politikanët e qendrës përballen me një problem të informacionit asimetrik. Ata pretendojnë se janë reformues, por pse votuesit duhet t’i besojnë liderëve që nuk duken ndryshe nga politikanët e mëparshëm që ua shitën atyre shtrenjtë fitimet nga globalizimi dhe refuzuan ankesat e tyre?
Në rastin e Klintonit, lidhja e saj e ngushtë me rrjedhën globale të Partisë Demokratike dhe lidhjet e ngushta me sektorin financiar përbënin qartë problemin. Fushata e saj premtoi marrëveshje të drejta tregtie dhe kundërshtoi mbështetjen për Partneritetin Trans-Paqësor (TPP), por me të vërtetë e kishte këtë? Në fund të fundit, kur ajo ishte Sekretare e Shtetit e SHBA-së, ajo e kishte mbështetur fuqishëm TPP-në.
Kjo është ajo që të gjithë ekonomistët e quajnë një ekuilibër bashkimi. Politikanët konvencionalë dhe reformistë duken njësoj dhe prandaj nxjerrin të njëjtën përgjigje nga shumica e elektoratit. Ata humbasin vota para populistëve dhe demagogëve premtimet e të cilëve për të tronditur sistemin janë më të besueshme.
Inkuadrimi i sfidës si një problem i informacioneve asimetrike gjithashtu lë të kuptohet një zgjidhje. Një ekuilibër bashkimi mund të ndërpritet nëse politikanët reformistë mund “të sinjalizojnë” votuesit drejt “llojit të tij/saj të vërtetë”.
Sinjalizimi ka një kuptim specifik në këtë kontekst. Ai nënkupton të angazhohesh në sjellje të sjellje të kushtueshme që është mjaftueshëm ekstreme saqë një politikan konvencional nuk do të donte kurrë ta imitonte, por jo aq ekstreme saqë do ta kthente reformatorin në një populist dhe do të mposhtte qëllimin. Për një njeri si Hillari Klinton, duke supozuar që ndryshimi i saj ishte i vërtetë, kjo mund të nënkuptonte se ajo po lajmëronte se s’do të merrte më asnjë qindarkë nga Uoll Striti ose nuk do të nënshkruante asnjë marrëveshje tjetër tregtare nëse zgjidhej presidente.
Me fjalë të tjera, politikanët e qendrës së djathtë që duan të vjedhin zhurmën e demagogëve, duhet të ndjekin një rrugë shumë të ngushtë. Nëse modifikimi i një rruge të tillë duket e vështirë, kjo tregon gjithashtu shkallën e sfidës me të cilën të përballen këta politikanë.  Realizimi i saj me shumë gjasa do të kërkojnë fytyra dhe politikanë të rinj, jo të ndotur me pikëpamjet fundamentaliste dhe globaliste të paraardhësve të tyre.
Kjo do të kërkojë gjithashtu pranimin e hapur që ndjekja e interesit kombëtar është ajo për të cilën zgjidhen politikanët. Dhe kjo nënkupton gatishmërinë për të sulmuar shumë nga lopët e shenjta të establishmentit – sidomos frenimin e lirë që i jepet institucioneve financiare, njëanshmërinë ndaj politikave shtrënguese, pikëpamjen e gdhendur të rolit të qeverisë në ekonomi, lëvizjen e papenguar të kapitalit në mbarë botën dhe fetishizimin e tregtisë ndërkombëtare.
Për veshët e zakonshëm, retorika e liderëve të tillë shpesh do të tingëllojë si e tmerrshme dhe ekstreme. Megjithatë, joshja e votuesve nga demagogët populiste mund të kërkojë asgjë më pak. Këta politikanë duhet të ofrojnë një konceptim gjithëpërfshirës e jo nativist të identitetit kombëtar dhe politikat e tyre duhet të qëndrojnë brenda normave liberale demokratike. Gjithçka tjetër duhet të jetë në tryezë.

/Project Syndicate