Nga Sali Kabashi
Si çdo konkurs që shpallet në Kosovë edhe në komunën e Istogut ata shihen me një sy të dyshimtë, se ndoshta është vetëm formalitet, gjë për të cilën të gjithë e dimë se është e vërtetë. Por, nganjëherë kur padrejtësia bëhet hapur dhe pa fije turpi, për dikë që i ka përfunduar studimet me sakrificë dhe me mund, nuk mund të kaloj aç lehtë dhe pa reaguar. Andaj edhe unë dua të reagoj hapur dhe publikisht për padrejtësinë që mu bë nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Istogut!
Në një konkurs të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Istogut me 23 korrik 2019, ishte edhe një vend i lirë për mësimdhënës/e të Historisë, andaj menjëherë bëra gati dokumentacionin e nevojshëm, natyrisht edhe diplomat e noterizuara (ashtu siç e kërkonte konkursi) dhe i dorëzova bashkë me aplikacionin për atë vend pune! Kaluan disa ditë, pastaj edhe javë, por nuk u ftova në test me shkrim! Me datën 26 gusht 2019, një shok i imi më lajmëroj se i kishin ftuar të gjithë në test me shkrim dhe se testi ishte mbajt! Po atë ditë shkova në Drejtorinë e Arsimit në Istog dhe kërkova sqarim se pse nuk jam ftuar në test! Apo cilat kritere nuk i kam përmbushë që nuk më ftuan!? Përgjigja e tyre ishte se i kam vetëm 180 KREDI, prandaj ajo ishte arsyeja!! Sipas ligjit për arsimin parauniversitarë, kandidatët për mësimdhënës duhet të kenë 240 KREDI që të kenë të drejtë punësimi. Por unë kisha edhe titullin Master që më jepte të drejtën e konkurrimit dhe të drejtën që të hyja të paktën në test me shkrim! Iu thash: Pse a nuk vlen edhe Masteri? – të habitur me pyeten se a kisha Master!? Paraprakisht kisha marrë dy diplomat origjinale me vete dhe ua vura mbi tavolinë! Pasi që kërkuan dosjen e aplikuesve të atij konkursi, aty u gjenden edhe dy diplomat e mija! Më kërkuan falje dhe më thanë që të hyjë në test atë ditë, ose nuk mund të hyja fare! Unë nuk pranova dhe iu thash që do të bëj ankesë. Pasi që ua përmenda ankesën, më thanë që edhe nesër mund të hyjë në test! Një herë pranova! Por pasi kontaktova disa jurist dhe ua shpalosa problemin, më këshilluan që mos të hyj në atë test, sepse ishte i jashtëligjshëm, por më e udhës do të ishte të bëj ankesë! Këtë këshillë e pranova dhe ashtu veprova. Të nesërmen në orën e caktuar, më thirren në telefon dhe më thanë se komisioni është mbledhë dhe se po më presin për të hyrë në test! Përgjigja ime ishte refuzuese dhe se nuk do të hyj në atë test! Më kërkuan arsyen se pse nuk po pranoja, por thjesht refuzova! Po atë ditë, apo më konkretisht me 27 gusht 2019, u publikuan emrat e kandidatëve të cilët e kishin kaluar testin me shkrim dhe që ftoheshin për intervistë!
Pasi u shpallen emrat e kandidatëve të suksesshëm për ato vende të punës (3 shtator 2019), në afatin prej 8 ditësh sa ishte caktuar në njoftim, bëra Ankesë, apo më konkretisht me datën 6 tetor 2019! Mirëpo, edhe ankesa siç duket hasi në vesh të shurdhër! Sipas ligjeve në fuqi, pasi që ankuesi e ka dorëzuar ankesën, institucioni në fjalë ka afat prej 10 ditësh të mbledhë komisionin për shqyrtimin e ankesës dhe 30 ditë ka afat për ti kthyer përgjigje ankuesit! Por as 30 ditë nuk ishin të mjaftueshme që Drejtoria e Arsimit në Istog të më kthente një përgjigje!
Nuk e mohoj mundësinë e ndonjë gabimi eventual nga zyrtarët, sepse në këtë komunë ka të punësuar vetëm me shkollë të mesme, apo edhe shkollë të lartë, andaj ndoshta është bërë gabim, por, nganjëherë nuk duhet të bëhen gabime, edhe nëse bëhen, duhet ndëshkuar! Andaj, nuk e lash vetëm me një Ankesë!
Prapë sipas ligjeve në fuqi, nëse pas 30 ditësh nuk kthehet një përgjigje pas ankesës, ankuesi ka të drejtë ta Padisë institucionin në fjalë për heshtje administrative dhe parregullsi! Dhe po, një gjë të tillë edhe e bëra! Me 22 tetor 2019, iu drejtova Gjykatës themelore në Pejë dega në Istog dhe bëra PADI kundër Drejtorisë së Arsimit në komunën e Istogut! Tashmë lënda është në Gjykatë dhe pres miratimin e saj dhe rrëzimin e atij konkursi, si dhe për ata që bënë këto shkelje flagrante, të merren masa sipas ligjeve në fuqi.
Një gjë është e sigurt!
Me këtë Ankesë dhe tani edhe PADI kundër Drejtorisë së Arsimit, në komunën e Istogut, unë i mbylli dyert për një punësim të mundshëm timin në arsim, të paktën sa të jetë ky pushtet! Por nuk pendohem, kjo punë do të shkoj deri në fund! Nëse kjo Gjykatë nuk e përfillë PADI-në time, do vazhdoj në shkallë edhe më të larta, derisa ta fitoj rastin.
Unë, nuk po dua asgjë tjetër përveç se të drejtën time që më takon. Le të jem unë mësim për ata që iu bëhet padrejtësi dhe që ngurrojnë ta kërkojnë të drejtën e tyre.
(Sali Kabashi – Master i Historisë)