Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi i cili ishte zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë Kurti I, ka thënë se me Kurtin ishin pajtuar që edhe në qeverinë Kurti II të shkonin me ekipin e njëjtë.
Megjithatë, në qeverinë Kurti II, Abazi u la anash dhe Kurti vendosi që zëvendëskryeministër ta bëjë Besnik Bislimin.
Duke folur në emisionin Pressing të T7, Abazi ka thënë se Kurti i kishte dhënë një arsyetim pse nuk do ta bënte pjesë të qeverisë së re.
“Arsyetimet kanë qenë të llojit që nuk ke marrë vota të mjaftueshme. Me ju thënë të drejtën, ju betohem, me shumë sinqeritet e kam marrë këtë arsyetim. Vetëm se i kam thënë që Besnik Bislimi nuk ka dalë fare, Artane Rizvanolli e Rozeta Hajdari s’kanë qenë kurrë pjesë e listës”, ka deklaruar Abazi.
Sipas deputetit, Kurti i kishte thënë se ai ishte ekipi me të cilin do të ecte përpara.
“Tha ky është ekipi që unë kam vendosë me ecë përpara. I thashë puna e mbarë. Unë e kam votu qeverinë, e presidenten”, ka thënë ai.
Për Abazin, e vërteta pse ai nuk është i përshtatshëm për të qenë pjesë e qeverisë, është sepse ai nuk është “mjaftueshëm i majtë”.
“Tash vjen puna te i diskutimit te Rugova. Zgjedhjet e brendshme në VV kanë dëshmuar një gjë të vetme, që unë nuk jam mjaftueshëm i majtë në perceptimit të grupit që ka fitu. Ti mundesh me dhënë gjithçka prej vetes, ku si fazë e parë llogaritet mbushja e barkut me ushqim, pra eliminimin e varfërisë për të arritur te përcaktimi ideologjik. Konstatimi duket është bërë më herët si duket, që një njeri efektiv nuk mund të jetë pjesë e qeverisë, ose i majtë, ose brenda vijave të lojalitetit të qeverisë”, ka deklaruar Abazi. /GazetaExpress