Shëndetësia jonë shpëtoi për një fije floku nga rreziku që paraqiste për të Dr. Rifat Latifi. Qëllimet e ish ministrit të shëndetësisë ishin të errëta: ai synonte t’i forconte spitalet publike e t’i fuste nën rregull spitalet private. Ai synonte të zvogëlonte punën e laboratoreve private e të shtonte shërbimet në laboratorët publikë. Synonte të ndryshonte mënyrën e furnizimit me barna të spitaleve. Synonte të ngriste në nivel tjetër profesionalizimin e mjekëve. Të lejonte që drejtorët e klinikave t’i zgjidhnin vetë personeli, e jo partia në pushtet. Synonte të hapte sektorin e shëndetësisë ndaj përvojave të vendeve të tjera, Greqisë, Turqisë, Austrisë, etj.
Me një fjalë ai synonte ta ndryshonte gjendjen ekzistuese. Merreni me mend sa të rrezikshme ishin planet e atij ministri, i cili synonte që qytetari të mos paguante kështu si paguan për shërbimet shëndetësore në spitalet private, po të merrte shërbime të mira dhe falas në spitalet publike.
Por, falë angazhimit të disa medieve dhe disa gazetarëve që sponsorizohen nga spitale private, falë partisë në pushtet, LVV, e cila ishte vigjilente ndaj qëllimeve të ministrit Latifi, falë grupeve të interesit të lidhura me spitale e laboratorë private dhe rrjeteve për furnizimin me barna, minisitri Rifat, u bllokua. Jo vetëm që u bllokua, po u paraqit si naivë dhe bile si i padijshëm. Dhe mbasi u argëtuan mjaftueshëm me të, e detyruan të ikte nga ka ardhë.
Mirë ia bën sepse ministri kishte edhe faje të tjera. Ndër fajet e tjera të ministrit Latifi ishte se mbante kravatë-flutur, pa e kuptuar se kravatë të tillë mund të mbajë vetëm kryeministrit Kurti. Ndërsa për çizmet me lëkurë gjarpëri, ai ka merituar të arrestohej, sepse në atë mënyrë e ka dëmtuar mitin ilir për gjarpërin. Ndër fajet e tjera të ministrit Latifi janë edhe këto: ai e ka prishur kontratën e vet të punës në SHBA, në vlerë prej një milion dollarësh dhe ka ardhë të shërbejë si ministër këtu, për njëmijë e pak euro në muaj. I ka lënë me dhjetëra konferenca shkencore ndërkombëtare nëpër botë dhe ka ardhë me ça dërrasa me Albin Kurtin për “mjekësinë kuantike”.
I ka lënë fëmijët, nipat e mbesat në SHBA e ka ardhë me na lodhë me strategji mjekësore, të cilën te ne një taksist e di më mirë se sa një drejtor i një klinike amerikane. Ka ardhë ministër në qeverinë Kurti, pa pranuar të anëtarësohej në LVV, gjë që ishte gabim trashanik. Pse? Sepse LVV është parti e shpresës, baza e lumturisë fiktive, imagjinative, impulsive dhe kontrastive të popullit tonë të ri, albi-kosovar.
Ka edhe shumë gabime të tjera Rifati. Njëri ndër ato faje është se nuk më ka pyetur mua para se ta merrte atë detyrë. Si mik i vjetër i tij, me shumë gjasë e kisha lutur të shkonte ministër në Haiti. E ka pasë më ngat dhe dështimin e ka pasur njësoj të garantuar si në Kosovë. Pse? Sepse Haiti ka një shoqëri, e cila e ka synim strategjik dështimin e vet, si kjo e jona. Një shoqëri që voton zjarrvënësit, dështimin e ka të garantuar, kudo, si këtu si në Haiti. Ndërsa, ga Haiti bileta e kthimit do t’i kushtone më lirë mikut tim.P.S. Një ditë para se të kthehej në SHBA, më tha se ende shpresonte se do të bëhej mire këtu. Rifati gjithmonë ka qenë i tillë, ëndërrimtar, idealist, entuziast, optimist i papërmirësueshëm. Këto vlera e kanë bërë markë në SHBA, por në Kosovë ato nuk kanë vlerë. Ia sqarova me detaje këtë gjë, po më duket se prapë nuk më kuptoi. Nuk e porosita t’u bënte të fala përmendoreve të heronjve tanë të rinisë, Vajat Erpit dhe Dok Holidejit në Tuson, për këtë arsye: disa nga kaubojët e këtushëm qeveritarë, biznesor e medial, janë më të fortë se sa ata. Ata duken palaço në krahasim me këta këtu.