A mund ta paramendoni se si do të ndiheshit po të ecnit mbi urën e qelqtë në një lartësi të madhe, dhe në një moment xhami nën këmbët tuaj të filloj të thyhet? Sigurisht se do t’ju rriteshin “rrahjet e zemrës”.
Në internet është publikuar një video e urës së qelqtë në Kinë, mbi të cilën ecin një grup turistësh. Kjo urë është e ndërtuar në një lartësi mbidetare prej 1.1179 metra, transmeton Telegrafi.
Në një moment xhami fillon të thyhet kurse udhëheqësi i grupit të turistëve kaplohet nga frika dhe bie në gjunjë, derisa plasaritjet nën këmbët e tyre sa vijnë e bëhen më të mëdha. Kjo skenë e tmerrshme ka ndodhur në malet Taihang në provincën kineze Hebei.
Pas publikimit të videos janë prononcuar edhe zyrtarët lokalë, të cilët kanë kërkuar falje dhe kanë pranuar se plasaritjet në fakt shërbejnë për të “provokuar” vizitorët.
Mes pllakave të xhamit është vendosur një material special, ku sa herë që dikush ecë dëgjohet një tingull i thyerjes së xhamit dhe duket sikur ka filluar të copëzohet.
Edhe pse videoja ka shkaktuar reagime negative tek përdoruesit e rrjeteve sociale në Kinë, zyrtarët lokale thonë se nuk e kanë ndërmend të ndërrojnë këto pllaka të xhamit, pasi sipas tyre dëshirojnë që njerëzit që e vizitojnë këtë urë ta përjetojnë atë lloj “horrori”. /Telegrafi/