Në Gjykatën për Krimet e Rënda është zhvilluar sot seanca e radhës ndaj të pandehurit Emiljano Shullazi. Ashtu siç ishte parashikuar, para trupit gjykues kanë dhënë dëshminë e tyre ish- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Drejtori i Policisë Haki Çako, Dhori Kule, Mynyr Koni, Klodeta Dibra, Shezai Rrokaj dhe Majlinda Keta.
Në dëshminë që zgjati rreth 15 minuta, ish-Ministri Tahiri mësohet se të ketë thënë se është vënë në dijeni për kërcënimin e dy profesorëve Kule e Koni nga postimi publik i ish-kryeministrit Sali Berisha, në Prill të 2016 -ës.
Sipas gazetarit të ABCNews, Tahiri mësohet se ka shprehur habi dhe ka përmendur disa herë ish-Kryeministrin Berisha, se përse ai nuk ishte në proces. Madje kjo është bërë shkak edhe për replika mes Tahirit dhe trupit gjykues.
Pas dëshmive, avokatët e të pandehurit Emiljano Shullazi i kërkuan gjykatës që të thërritet si dëshmitarë, ish-kryeministri Berisha, kërkesë kjo e cila u pranua nga gjykata.