Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit ka vizituar sot vendpunishtet e projektit “Grand Tower” në “Prishtina e Re”, së bashku me Mustaf Gashin, pronar i kompanisë M.Gashi ShPK. Ai vlerësoi këtë biznes si shembull të zhvillimit dhe punësimit për qytetarët e Lipjanit.
Në fjalën e tij, kandidati premtoi rishikim të hartave zonale në bashkëpunim me sektorin privat, pa ndërhyrje politike, si dhe rritje të standardeve në ndërtim, me theks të veçantë në sigurinë dhe të drejtat e punëtorëve. Ai gjithashtu u zotua për banim të përballueshëm për qytetarët.
“Ky është ndryshimi që e meritojnë punëtorët, bizneset dhe çdo qytetar i komunës sonë,” tha ai.
Postimi i plotë:
Sot, së bashku me Mustaf Gashin, pronari i kompanisë M.Gashi ShPK, pronarin e një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në Lipjan e Kosovë, vizituam vendpunishtet ku po krijohet zhvillimi i së ardhmes në Kompleksin Grand Tower, Prishtina e Re. Ky biznes është shembull i zhvillimit në vendin tonë. Me punësimin e një numri të madh punëtorësh nga Lipjani, ai siguron jo vetëm vende pune, por edhe mirëqenien e shumë familjeve lipjanase.
Si Kryetar i ardhshëm i Lipjanit, kam një zotim të qartë: hartat zonale do të rishikohen në konsultim të hapur me sektorin privat; nuk do të ketë ndërhyrje politike në punën e sektorit; do të fuqizohet stafi profesional komunal për t’i shërbyer më mirë palëve.
Por mbi të gjitha ndërtimi në Lipjan do të zhvillohet dhe do të rriten standardet, do të promovohen të drejtat e punëtorëve në këtë sektor, sidomos siguria dhe shëndeti në punë, si dhe do të kërkojmë banim të përballueshëm dhe të qëndrueshëm për qytetarët tanë.
Ky është ndryshimi që e meritojnë punëtorët, bizneset, si dhe çdo qytetar i komunës sonë.
Fitorja është e jona!


















