Tri kanë qenë kërkesat kryesore të përfaqësuesve të biznesit gjatë së dielës për Qeverinë e Kosovës për masat që ekzekutivi duhet të ndërmarrë karshi pandemisë globale COVID-19.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se pika kryesore është që të mos ndalet prodhimi.
Ai u ka bërë apel punëtorëve të veprimtarive që s’janë të ndaluara me vendim të Qeverisë të dalin në vendet e tyre të punës, duke qenë të vëmendshëm me masat parandaluese, raporton KOHA.
Ndërsa drejtori i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se Qeveria duhet të dalë me një fushatë vetëdijesimi për ta shmangur panikun.
Pas kësaj ata janë ftuar në një takim nga zv.kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili paralajmëroi se ekzekutivi i ka përkrahur kërkesat e tyre.
Hoti deklaroi se me masat e reja parashihet që të bëhet një plan për rezervat shtetërore deri në tre muajt e ardhshëm, si dhe shtyrja e të gjitha pagesave duke përfshirë edhe kreditë deri më 30 prill.
Zv.kryeministri Hoti ka bërë të ditur se pas mbledhjes së Qeverisë do të ketë sqarime shtesë edhe për funksionimin e bizneseve, si dhe për situatën se kur njëri prind duhet të mungojë nga puna.