Seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Toka” është shtyrë për datën 13 shkurt.
Kjo pasi e akuzuara Elheme Uka nuk është paraqitur në seancën e sotme gjyqësore.
E akuzuara u tha se mungon në seancë për shkak të një kontrolle shëndetësore që duhej të kryente në QKUK.
Në ndërkohë kryetari i trupit gjykues, Petko Petkov, ka kërkuar që të dokumentohet se e akuzuara ka munguar për arsye të gjendjes shëndetësore.
Por nëse e akuzuara nuk paraqet dëshmi në gjykatë për kontrollin mjekësor që ka kryer gjatë kësaj kohe, Gjykata do të urdhërojë arresimin e saj, njofton Klan Kosova.
Në seancën e sotme është vendosur se i akuzuari tjetër, Nuhi Uka do të gjykohet ndaras nga të akuzuarit e tjerë në këtë rast.
Kjo ka ndodhur pasi prokurori i EULEX-it, Danilo Cecareli ka bërë kërkesë për veçimin e procedurës në shqyrtimin gjyqësor që është duke u mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e Prokurorit Special për veçim të procedurës.
Kryetari i trupit gjykues, Petko Petkov ka bërë të ditur se ka pranuar një shkresë nga Beogradi lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Nuhi Uka që pamundëson që ky i fundit të jetë i pranishëm në seancat gjyqësore.
Nuhi Uka që tash e një kohë gjendet në Beograd për shërim, në rastin “Toka” është i akuzuar për shtatë vepra penale që ndërlidhen me pervetësimin e disa pronave në Çagllavicë.
Ndërsa në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me përvetësimin e tokave me pronësi shoqërore.


















