Shtyhet seanca ndaj të akuzuarave për mashtrim me subvencione

E publikuar: 12/07/2017 15:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është shtyrë seanca ndaj ish-sekretares në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Zana Kotorri si dhe Hana Berishës e Ardiana Goranit, të cilat akuzohet për mashtrim me subvencione si dhe për disa vepra të tjera penale.

Arsyeja e mos mbajtjes së kësaj seance, ka qenë mos pajisja me shkresat e lëndës e mbrojtësit të të akuzuarës, Ardiana Gorani, avokatit Afrim Salihu.

Në seancën e së mërkurës ishte paraparë të dëshmojnë tre dëshmitarët, Bajram Ahmetaj, Hazir Bufaj dhe Bedri Haziri.

Në fjalën e tij, avokati Afrim Salihu, i cili në këtë rast mbron të akuzuarën Ardiana Gorani, tha se ka tentuar t’i siguroi shkresat si nga gjykata, po ashtu edhe nga prokuroria, por sipas tij, një gjë e tillë nuk është arritur.

“Jam totalisht i papërgatitur për të prezantuar në këtë seancë, pasi që nuk i kam shkresat e lëndës dhe kësisoj nuk di se çfarë pyetje t’iu bëj dëshmitarëve”, tha në fjalën e tij, avokati Salihu.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës Zana Kotorri, avokati Xhafer Maliqi, tha se nga prokurori i rastit Haki Gecaj, në seancën e kaluar kanë pranuar një aktakuzë të ndryshuar me një dispozitiv të ri.

Andaj, Maliqi propozoi që akti akuzues të konsiderohet i ndryshuar nga ana e trupit gjykues dhe mbrojtjes t’i jepet mundësia të bëjë kundërshtimin për këtë aktakuzë, sipas tij, të ndryshuar.

Një propozim i tillë u kundërshtua nga ana e prokurorit Haki Gecaj. Ky i fundit tha se aktakuza nuk është ndryshuar, por vetëm është bërë një precizim i dispozitivit të aktit akuzues, me qëllim, sipas tij, që t’ia lehtësojnë punën gjykatës.

Pas dëgjimit të propozimeve të mbrojtjes, trupi gjykues i kryesuar nga ana e gjyqtarit, Valon Kurtaj, vendosi që seanca të shtyhet derisa mbrojtja të pajiset me të gjitha shkresat. Kjo pasi, siç tha Kurtaj, në rast se do të vazhdohej seanca pa u pajisur me shkresa, mbrojtja do të konsiderohej se nuk ka pasur mbrojtje efektive.

Seanca e radhës u vendos të mbahet më 30 gusht 2017, nga ora 9.30.

Aktakuza e ngritur nga prokurori, Besim Kelmendi, e ngarkon, Zana Kotorrin, që në cilësinë e sekretares së përgjithshme në Ministrinë e Kthimit, në bashkëpunim me Hana Berishën, kanë marrë pjesë në bashkim kriminal.

Sipas aktakuzës, Kotorri dhe Berisha ishin marrë vesh që të gjejnë persona të interesuar për subvencione nga Ministria e Kthimit, dhe pastaj, shumën e subvencioneve të ndajnë përgjysmë, ashtu që gjysmën e shumës ta marrë e pandehura Kotorri dhe gjysmën tjetër, e pandehura Berisha.

Sipas aktakuzës, përmes Hana Berishës, e pandehura tjetër Ardiana Govori, kishte rënë në kontakt me Zana Kotorrin, e ku kjo e fundit duke tejkaluar kompetencat e saj, ia kishte përgatitur dokumentet për aplikim për subvencione, të pandehurës, Govori.

66.465.00 euro ishte shuma e subvencionit të projektit të shoqatës SHIPPL, me emër “Duam dhe mundemi së bashku”, e të cilat mjete pas ndarjes nga ana Ministrisë, të pandehurat i kishin ndarë mes tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, 33.232.00 euro i kishte marrë e pandehura Kotorri, 15.00.00 euro i kishte marrë Hana Berisha dhe pjesën tjetër e kishte marrë, Ardiana Govori.

Në aktakuzën që tashmë e përfaqëson, prokurori Haki Gecaj, theksohet gjithashtu se të pandehurat, për çdo përfitues të subvencioneve kërkonin përqindje që shkonte nga 30 deri në 50 %, nga shuma e subvencioneve.

Mbi këto fakte, Prokuroria akuzon të pandehurat, Kotorri, Berisha dhe Govori, se në bashkim kriminal, kanë kryer veprën penale të mashtrimit lidhur me subvencionet, ndërsa Zana Kotorri edhe për veprat, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”. Hana Berisha dhe Ardiana Govori ngarkohen gjithashtu edhe me veprën penale, “dhënia e ryshfetit”.