Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Ismajl Kurteshit e Haxhi Shalës.
Deputetët e Vetëvendosjes e Nismës për Kosovën akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar, që ka të bëjë me gjuajtjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Seanca është shtyrë për muajin nëntor sepse ka munguar deputeti Kurteshi.
“Përmes avokates së tij, Kurteshi ka parashtruar një shkresë për Gjykatën ku ka njoftuar se nuk mund të marrë pjesë sepse në kohën e njëjtë ka një seancë në Kuvendin e Kosovës. Unë nuk po di se kur t’ua caktoj seancat sepse në të kaluarën nuk keni qenë ju, z. Shala”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva, raporton KTV.
Por, prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës i ka propozuar gjyqtarit që të lëshoj urdhër për sjellje me detyrim.
“Na nuk mundemi me i duru kështu, kemi atje ata që na i sjellin në sekondë, kur të duhet”, ka thënë prokurori Ilaz Beqiri.
Por, gjyqtari nuk e ka bërë këtë por vetëm ka caktuar seancën pas një muaji duke i njoftuar palët me ftesa të rregullta gjyqësore.



















