Styhet seanca gjyqësore ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, Faton Topalli, Albin Kurti dhe deputetes së AAK-së, Donika Kadaj Bujupi.
Gjyqtari Beqir Kalludra ka shtyrë seancën për datën 23 shkurt për shkak se sipas tij nuk ka patur kushte ligjore, në mungesë të akuzuarve.
Ai ka vendosur që në seancën e ardhshme të akuzuarit të sjellen me detyrim.
Fillimisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda të pranishëm ishin deputetët Haxhiu, Topalli e Kadaj-Bujupi, por lëshuan sallën me arsyetimin se po vonohet gjyqtari.
Sipas prokurorit Avdyrrahim Islami, vonesa e gjyqtarit është bërë në pritje të deputetit Albin Kurti.
“Ne kemi punë. Gjyqtari u vonua,” është shprehur deputetja Donika Kadaj-Bujupi, ndërkohë që deputeti Topalli është shperhur se “ky është gjykim politik,”.
Me ta nuk është parë edhe deputeti i LVV, Albin Kurti, ish-lider i këtij subjekti politik.
“Nuk e dimë se ku është Kurti,” është shprehur deputetja Haxhiu gjatë prononcimit për medie.
Prokuroria Themelore në Prishinë ka ngritur aktauzën kundër katër deputetëve opozitar në dhjetor të vitit të kaluar.
Katër eksponentët e opozitës kosovare akuzohen për veprat penale të “përdorimit të armëve” dhe “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës”.
Deputetët akuzohen se secili prej tyre i ka kryer më vete këto vepra penale, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë Themelore.
Kurti, Haxhiu, Topalli dhe Bujupi u arrestuan pas hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
















